Shkollat hapin dyert për nxënësit, nuk ka mbyllje institucionesh apo dalje mësuesish nga sistemi

Arsim | 1 vit më parë

Korçë

Sot ka nisur viti i ri shkollor për 19.340 nxënës në qarkun e Korçës.

Gazetarja e RTSH Korça, Eftjola Fili, raporton se krahasuar me një vit më parë, numri total i nxënësve është më i ulët, rreth 1.660 më pak, megjithëse vihet re një rritje në regjistrimet e klasave të para.

Shkodër

Në bashkinë e Shkodrës kanë hapur sot dyert 87 shkolla të ciklit 9-vjeçar dhe të mesëm në sistemin publik dhe privat. Sipas gazetarit të RTSH Shkodra, Adrian Hoti, në këtë fillimvit të ri shkollor figurojnë të regjistruar gjithsej 10.800 nxënës, prej të cilëve 1.150 janë fëmijë që ulen për herë të parë sot në bankat e shkollës.

“Është një vit i ri me sfida të reja , investime të reja infrastrukturore, me ndërhyrje në terrenet sportive, në ‘smart-club’,” deklaroi Brisela Kadija, drejtoreshë e ZVA Shkodër.

Elbasan

Në Elbasan janë rreth 15 mijë nxënës në arsimin parauniversitar. Gjimnazi “Kostandin Kristoforidhi” dhe shkollat 9- vjeçare “Fadil Gurmani’ dhe ajo “Tregan” i pritën nxënësit në ambiente krejtësisht të reja, ndërsa në proces rikontruksioni janë dhe tri shkolla të tjera, gjimnazi “Dhaskal Todri” dhe shkollat 9-vjeçare “Naim Frashëri” dhe ajo e Shushicës.

Fier

Në juridiksionin e Zyrës Vendore Fier do të ndjekin mësimet rreth 13.000 nxënës. Pesë shkolla publike, dy në bashkinë Fier, dy në bashkinë e Lushnjës dhe një në bashkinë e Divjakës pritën nxënësit në mjedise të rikonstruktuara dhe të pajisura me bazën e nevojshme materiale didaktike. Një shkollë tjetër në bashkinë e Mallakastrës do të përfundojë rikonstruksionin në periudhën e parë të këtij viti shkollor.

“Jemi një shkollë krejtësisht e rikonstruktuar, me laboratorë modernë falë Ministrisë sonë të Arsimit. Kemi laborator bio-kimie, laborator fizike, laborator smart-club. Nuk kemi rënie të numrit të nxënësve jo vetëm në klasat e para, por as në klasat e ndërmjetme,” tha Albertina Çeço, drejtore e shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri” Fier.

Vlorë

Në Vlorë-Himarë rreth 11.590 nxënës, 260 më shumë se një vit më parë, nisën vitin e ri.

915 vogëlushë, 53 më shumë se vitin e shkuar, u ulën për herë të parë në bankat e shkollës, ndërsa në klasën e dhjetë rezultojnë të regjistruar 915 nxënës.

Pas rikonstruksionit të shkollave “Avni Rustemi” dhe “Lef Sallata”, pritet rikonstruksioni i shkollave “Ismail Qemali” dhe “Marigo Posio”, si dhe ndërtimi i kampusit për shkollat profesionale.

Gjirokastër

Edhe në Gjirokastër, institucionet e arsimit parauniversitar kanë hapur dyert për vitin e ri arsimor 2025–2026. 23 shkollave në të dyja bashkitë, Gjirokastër dhe Libohovë, u janë drejtuar sot 3.232 nxënës, prej të cilëve 191 për herë të parë, raportoi gazetarja e RTSH Gjirokastra, Yllka Ponde.

“Kemi punuar për një kohë të gjatë që sot të mirëpresim të kushte optimale nxënësit tanë. Numri i nxënësve që ndjekin vitin mësimor 2025–2026 është në të njëjtat vlera me vitin paraardhës,” tregoi Albana Hasani, drejtoreshë e Zyrës Vendore Arsimore Gjirokastër-Libohovë.

Në qarkun e Gjirokastrës janë 5.744 nxënës. Për herë të parë pjesë e arsimit janë bërë 345 vogëlushë.

Kukës

Në qarkun e Kukësit janë rreth 114 shkolla që u hapen dyert në këtë ditë. Në shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri” për herë të parë këtë vit ulen rreth 55 nxënës, informoi gazetarja e RTSH Kukësi, Irda Bajraktari.

Gazetare: Nermin Spahiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme