Shqipëria e bukur u ndryshon imagjinatën, turistët vizitojnë qytetet nga veriu në jug: Vend i mrekullueshëm

Këtë fillim jave, Tirana e gjen një qytet të zbrazur nga qytetarët e saj, por të mbipopulluar me turistë. Kryeqyteti është kthyer në një vend të shumëkombësive.
Gjermanë, francezë, spanjollë apo italianë po bëjnë një tur disa ditor për të vizituar shumë prej siteve apo godinave për t’u njohur më shumë me historinë. Ardhja për herë të parë në vendin tonë, për këtë çift nga Gjermania, është një surprizë e bukur.
‘‘Jemi nga Gjermania. Këtu është vërtet një vend i këndshëm dhe njerëzit gjithashtu. Kemi vizituar disa qytete në jug dhe kemi bërë hiking. Ne do të qëndrojmë për 10 ditë. Është një vend plot histori; këto ndërtesa të larta i kam parë vetëm në Hamburg apo Berlin dhe jam vërtet i surprizuar. Një qytet kaq i bukur. Në imagjinatën time Shqipëria ishte një vend i varfër, por ardhja ime këtu ndryshoi krejtësisht këtë mendim. Diferenca mes këtyre ndërtesave gjigante dhe imagjinatës sime është e çuditshme. Vendi është rritur shumë, gjithçka duket e mrekullueshme“, shprehen turistët.
Ndërsa për këta të rinj italianë, pica të mira nuk shijohen vetëm në Itali.
‘‘Ne jetojmë në Milano dhe këtu është hera e parë për ne. Kemi vizituar disa vende që lidhen me historinë e vendit tuaj, por gjithashtu kemi provuar edhe ushqimin. Pasta dhe pica; kemi provuar një miks shijesh të veçanta’’, thanë turistët.
Të tjerë turistë janë akomoduar në hotelet shumë pranë qendrës për ta bërë lëvizjen e tyre më komode.
‘‘Jemi italianë dhe jetojmë në Malpensa. Tirana është e bukur; do të qëndrojmë dy ditë në një hotel shumë pranë qendrës.’’
‘‘Nga Franca kam ardhur me familjen. Nuk të them më shumë sesa: ky është një qytet i bukur. Nga Golemi sapo jemi kthyer, një qytet me detin afër, shumë mbresëlënës. Shqiptarët janë njerëz të bukur, me një buzëqeshje po aq…’’, shprehet turisti.
Rritja e numrit të turistëve vitet e fundit e ka kthyer Shqipërinë në një destinacion turistik përgjatë gjithë vitit, ndërsa çelja zyrtarisht e sezonit turistik është thjesht një datë në kalendar.
Gazetare: E. Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





