Shqipëria feston 114-vjetorin e Pavarësisë, uron politika

Shqipëria feston sot 114-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, ndërsa urimet për këtë ditë të shënuar kanë ardhur nga përfaqësuesit më të lartë të politikës shqiptare, nga Kosova dhe partnerët ndërkombëtarë.
I pari që përcolli urimet ishte kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale, shoqëruar me një fotografi nga monumenti i Pavarësisë në Vlorë, e lidhi festën kombëtare me aspiratën europiane të Shqipërisë.
Festa e Pavarësisë, Rama: Një 28 Nëntor më pranë Europës së Bashkuar
Kryeministri Edi Rama ka përcjellë një urim për 28 Nëntorin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku krahas urimit për festën e Pavarësisë, ka vënë theksin te aspirata europiane e Shqipërisë.
“Mirëmëngjesi dhe me 28 Nëntorin më të afërt me Europën e Bashkuar, ju uroj fundjavë të gëzuar”, shkruan Rama në postimin e tij.
Dita e Pavarësisë, Peleshi: Në shqiponjë jehojnë zërat e brezave që luftuan për liri, të ecim përpara me dinjitet e krenari si shqiptarë
Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali, së bashku me përfaqësues nga trevat shqiptare, shpalli Pavarësinë, duke shënuar një moment historik në rrugëtimin e kombit shqiptar dhe themelimin e shtetit të pavarur.
Me rastin e kësaj date të rëndësishme, urimet për shqiptarët i është bashkuar edhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Peleshi ka ndarë imazhin e një shqiponje të punuar në xham, të cilën e cilëson si simbol të rrënjëve, historisë, sakrificës dhe krenarisë kombëtare.
Në mesazhin e tij, kryetari i Kuvendit thekson se në këtë simbol jehojnë zërat e brezave që luftuan për liri, ndërsa kujtesa historike dhe vlerat kombëtare mbeten ato që bashkojnë shqiptarët.
Peleshi ka shprehur gjithashtu mirënjohjen për mjeshtrin Vasil Dhiamandi, i cili përmes talentit dhe duarve të tij i jep jetë simboleve që përcjellin historinë dhe shpirtin kombëtar.
“Një shqiponjë në xham, por me gjithë shpirtin e Shqipërisë brenda saj.
Një simbol i rrënjëve tona, që mbart histori, sakrificë dhe krenari. Në të jehojnë zërat e brezave që luftuan për liri dhe jeton kujtesa e asaj që na bashkon, na bën të ndihemi një dhe të ecim përpara me dinjitet e krenari si shqiptarë.
Me zemrën plot, Gëzuar Ditën e Pavarësisë!
Mirënjohje për mjeshtrin Vasil Dhiamandi, që përmes talentit dhe duarve të tij i jep jetë simboleve që mbartin historinë dhe shpirtin tonë kombëtar”, shkruan Peleshi.
Ministri Nufi uron Ditën e Pavarësisë: Flamuri kuqezi, simboli që na bashkon
Ministri i Mbrojtjes, Erma Nufi, ka përcjellë urimet me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe 114-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ministri e cilëson këtë datë si një ditë që bashkon historinë, krenarinë dhe identitetin kombëtar shqiptar.
Në urimin e tij, Nufi rikujton momentin historik të vitit 1912 në Vlorë, kur Ismail Qemali, Dom Nikollë Kaçorri dhe firmëtarët e Pavarësisë ngritën flamurin kuqezi, duke shënuar një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare.
Ministri thekson se 28 Nëntori mbart në vetvete sakrificën e brezave dhe guximin e atyre që luftuan për liri, ndërsa flamurin kuqezi e cilëson si simbolin që bashkon shqiptarët dhe përfaqëson vlerat e identitetin e tyre kombëtar.
“28 NËNTORI – DITA QË BASHKON HISTORINË, KRENARINË DHE IDENTITETIN TONË KOMBËTAR!
Nga Vlora historike e vitit 1912, ku Ismail Qemali, Dom Nikollë Kaçorri dhe firmëtarët e Pavarësisë ngritën flamurin kuqezi, nisi një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare.
Një ditë që mbart në vetvete sakrificën e brezave, guximin e atyre që luftuan për liri dhe krenarinë e të qenit shqiptarë. Një histori e shkruar me gjak, përkushtim dhe dashuri për atdheun, që vazhdon të na frymëzojë edhe sot.
Flamuri kuqezi mbetet simboli që na bashkon, na përfaqëson dhe na kujton rrënjët e vlerat tona kombëtare.
Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë!”, shkruan ministri.
Ervin Demo uron festat e Nëntorit: “Lirinë e trashëguam, të ardhmen e ndërtojmë bashkë!”
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka përcjellë urimin për festat e Nëntorit përmes një videomesazhi së bashku me vajza dhe djem të Policisë së Shtetit.
“Lirinë e trashëguam, të ardhmen e ndërtojmë bashkë!”, është mesazhi i ministrit, i cili e lidh përgjegjësinë për të ardhmen e vendit me kujdesin për njerëzit, sigurinë e fëmijëve dhe mundësinë që familjet ta ndërtojnë jetën në Shqipëri.
“E bëjmë duke i qëndruar pranë atij që ka nevojë, duke u kujdesur që fëmijët të rriten të sigurt dhe që çdo familje ta ndërtojë jetën këtu, në Shqipëri”, shkruan Demo në mesazhin shoqërues.
Videoja sjell pamje të punonjësve të Policisë në shërbimin e përditshëm: në komunikim me qytetarët, në menaxhimin e qarkullimit, pranë shkollave dhe në patrullim.
Ministri shpreh mirënjohjen për punonjëset dhe punonjësit e Policisë së Shtetit që edhe gjatë festave qëndrojnë në detyrë, për t’u mundësuar qytetarëve të festojnë të qetë pranë njerëzve të tyre.
“Edhe në emër të tyre, ju uroj gëzuar festat e Nëntorit! Gjithmonë në shërbim të njerëzve!”, përmbyll urimin ministri Demo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



