Siguria ushqimore, Dhuka prezanton planin gradual për arritjen e standardeve evropiane

Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, deklaroi se Shqipëria ka ende shumë për të bërë në fushën e sigurisë ushqimore dhe cilësisë së ushqimit, duke theksuar se vendi po punon për të ndërtuar një plan gradual të afrimit me standardet e Bashkimit Evropian.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve mbi kushtin e BE-së për sigurinë ushqimore, Dhuka tha se produktet si mishi, peshku, veza, qumështi dhe nënproduktet e tij duhet të përmbushin standarde të larta higjiene në prodhim, grumbullim, përpunim, eksportim dhe tregtim. “Këto standarde shumë të mira janë të njëjta për të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe sigurisht edhe për Shqipërinë, teksa i afrohet tregut të përbashkët europian,” u shpreh ajo.
Dhuka theksoi se kur Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së, rregullat e tregut të përbashkët do të zbatohen si brenda vendit, ashtu edhe për produktet që eksportohen. “Është koha që të gjithë së bashku – fermerët, grumbulluesit, prodhuesit, përpunuesit, eksportuesit dhe tregtarët – të punojmë për t’iu afruar këtyre standardeve,” nënvizoi ajo.
Ministrja informoi se po punohet me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për të ndërtuar një plan gradual, duke kërkuar nga Komisioni Evropian kohën e nevojshme për hapa të vegjël, por sistematikë dhe të sigurt.
“Në disa raste kjo do të thotë që prodhuesit, përpunuesit dhe eksportuesit duhet të përmirësojnë pikat e prodhimit, grumbullimit dhe mjetet e transportimit,” tha Dhuka.
Ajo shtoi se Shqipëria është në bisedime me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare për kohën e nevojshme që i duhet bujqësisë shqiptare për t’u transformuar drejt standardeve evropiane. Dhuka kujtoi se kjo është një praktikë e ndjekur edhe nga vendet që janë anëtarësuar më herët në BE.
“Komunikimi me Komisionin Evropian vazhdon dhe do të kemi mundësi të diskutojmë përsëri mbi rezultatet dhe hapat që duhet të ndërmarrim,” tha ajo, duke e cilësuar këtë proces si një mundësi të madhe për transformimin e bujqësisë shqiptare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





