Skemat në bujqësi, eksperti: Fermerët të mbështeten me subvencione dhe të stimulohen të rinjtë

Aktualitet | 1 vit më parë

Eksperti i bujqësisë, Ervin Resuli, është shprehur se edhe pse qeveria prej vitesh po ofron skema mbështetëse për bujqësinë dhe blegtorinë, sërish ky sektori nuk ka një ngritje të konsiderueshme apo një reagim pozitiv në ekonominë shqiptare. Në një intervistë për “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, Resuli tha se fermerët shqiptarë kanë nevojë për subvencione të drejtpërdrejta dhe një vëmendje të veçantë për përfshirjen e të rinjve në këtë fushë.

Sipas ekspertit, skemat aktuale nuk po i shërbejnë qëllimit të zhvillimit të sektorit. Ai theksoi se fermerët që përpiqen të zhvillojnë fermat e tyre përtej 50 krerëve, përballen me kufizime financiare, pasi fondet përgjysmohen dhe nuk i mbulojnë kostot reale të investimit.  

“Kemi të bëjmë më një skemë kombëtare si vitet e tjera dhe mënyrat e aplikimit janë njësojë për fermerët. Këtë vit kemi shtesë mbështetjen në blegtori për shtimin e tufës. Është një skemë që në mënyrën e kompozimit orienton disi politikat por volumi i parave në dispozicion të kësaj skemë nuk është i mjaftueshëm dhe kjo bën që një fashë e mirë fermerësh të mos arrijnë dot ta kapin edhe pse mund të përmbushin kushtet. Skema është penguese për ata që duan të krijojnë tufa mbi 50 krerë. Nëse krijon tufa mbi 50 krerë përgjysmon fondin që do të thotë se nuk plotëson nevojat e fermerit për të kryer investime. Feedback-u i skemës në 3-4 vitet e fundit nuk është ai që pritej apo ai që do të jepte impaktin në ekonomi. Edhe pse kjo skemë është implementuar te blegtoria ajo sërish ka qenë në rënie të lirë sipas të dhënave të INSTAT. Kemi shembujt e rajonit, ku p.sh. në Kosovë kemi 50 euro për krerë pro është pa tavan dhe e përfiton mbështetjen plotësisht dhe kjo stimulon që ferma të rritet”, u shpreh Resuli.

Gjithashtu eksperti Resuli ngriti shqetësimin se mungesa e mbështetjes për të rinjtë po i çon drejt zhdukjes shumë prej fermave familjare. Aktualisht, sipas tij, asnjë nga masat mbështetëse të qeverisë nuk i adresohet të rinjve që duan të nisin një aktivitet bujqësor.

“Ne kemi 8 masa mbështetje në skemën për bujqësinë, por asnjë nga këto masa nuk i dedikohet të rinjve. A duhet ta trashëgojmë këtë profesion apo duhet ta mbyllim? Nëse të rinjtë nuk tregojnë interes nga bujqësisë është normale që këto biznese do të mbyllen pasi një 70-vjeçar nuk mund ta vazhdoj dot më këtë gjë dhe nëse fëmijët e tij nuk e përqafojnë këtë lloj biznesi atëherë janë të destinuara të mbyllen dhe falimentojmë. Maqedonia e Veriut për çdo të ri që do të angazhohet në bujqësi ka masë mbështetje 70 mijë euro që në vitin e parë. Një biznes i konsoliduar mund të përfitojë nga kreditë e buta pasi është një biznes i ngritur me një kapital, por një start up nuk mund të hyjë me kredi, pasi blegtoria riskun e humbjes e ka shumë të lartë dhe kostot nuk i ka fikse. Prandaj duhen subvencioni me para të pakthyeshme kundrejt disa kushte për ta rritur fermën deri në një nivel për t’u quajtur biznes dhe më pas mund t’i drejtohen bankave me kredi të butë”, tha ai.

Resuli propozoi krijimin e një pakete 5-vjeçare mbështetëse për sektorin bujqësor dhe blegtoral, që do të përfshinte subvencione të drejtpërdrejta për krijimin e fermave që më pas mund të qëndrojnë në treg dhe të aksesojnë kreditë e buta.

“Minimalit duhet një paketë 5-vjeçare që duhet në mbështetje intensive për bujqësinë dhe blegtorinë dhe më pas mund të diskutonim për kreditë e buta apo kufizimi i numrit të krerëve. Por duhet një energji fillestare për bujqësinë që të rritet në lartësinë e duhur dhe më pas nesër mund të ishte edhe në shërbim të ekspertëve dhe turizmit që është në rritje çdo vit”, përfundoi eksperti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme