Skemat subvencionuese në bujqësi, dhjetëra aplikues në Lushnjë interesohen për mbështetjen kombëtare
Janë të shumtë fermerët që duan të bëhen pjesë e Skemës Kombëtare të Investimeve në bujqësi, ndërsa një pjesë e tyre paraqiten për të marrë informacion mbi dokumentacionin e nevojshëm.
Në zyrat e drejtorisë rajonale të ekstensionit bujqësor (AREB) në Lushnjë, me dhjetëra të interesuar kanë kërkuar deri tani sqarime për aplikimin në një nga nëntë masat mbështetëse.
Skema është hapur më 31 korrik dhe disa fermerë tashmë kanë dorëzuar dosjet e tyre.
“Unë jam i interesuar për sistemin e vaditjes, por sot kam ardhur të informohem për të gjithë dokumentacionin që më duhet dhe çfarë mund të përfitoj nga sistemi i vaditjes,” thotë një aplikant.
Skemat kombëtare ndryshojnë nga ato subvencionale, ndërsa gushti është lënë për informim dhe shtatori për dorëzimin e dosjeve përfundimtare. Interesi më i madh është për blerjen e mekanikës bujqësore dhe skemat e ujitjes me pika.
“Janë skemat për ndërtim-modernizim serrash; rritja e sipërfaqeve të mbjella me pemë frutore; rrjetet antibreshër që përdoren për pemë frutore; sistemi ujitës me pika, si në serra, ashtu edhe në vreshta; ndërtimi i stallave në fermat blegtorale… Aplikantëve u kërkohet të jenë të pajisur me NIPT, me dokumentacionin e tokës. Futet edhe rasti kur ata e marrin tokën me qira, por kjo duhet të jetë për një kohë të gjatë mbi 10 vjet,” shpjegon Kadri Gaxho, specialist i AREB Lushnjë.
Këtë vit, AZHBR-ja, përveç 9 masave mbështetëse, ofron edhe akses në financë me kredi me interesa të ulëta.
Një nga vështirësitë kryesore për aplikantët lidhet me tokat me qira, ku kërkohet dakordësia e të gjithë anëtarëve të familjes në mungesë të certifikatës së pronësisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





