Spitali “Continental” merr emrin e udhëheqësit shpirtëror “Haxhi Dede Reshat Bardhi”
Prerja e shiritit nuk shënon thjesht një emërtim të ri për spitalin “Continental”, por fillimin e një kapitulli të mbushur me shpresë, humanizëm dhe nderim.
Sot, nga kjo godinë spitalore nderohet “Haxhi Dede Reshat Bardhi”, i cili u nda nga jeta në vitin 2011 dhe shërbeu si Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve.
Ky spital është një vepër e lidhur me humanizmin, një vend shërimi dhe shprese për jetën.
“Dervishati ka qenë një nga figurat më të mëdha të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, i cili mbajti gjallë dritën e Haxhi Bektash Veliut pas ndarjes nga jeta të Ahmetit. Ai përcillte vetëm mirësi dhe ndriçonte me frymën e Haxhi Bektashit të gjithë njerëzit që vinin tek ai, duke u dhënë atë që kërkonin dhe duke nderuar çdo njeri pa dallim feje, krahine apo bindjeje. Siç thoshte edhe Naim Frashëri, ai i konsideronte të gjithë vëllezër e motra. Për ta nderuar figurën e tij, këtij spitali iu vendos emri i tij, me dëshirën që ai të vazhdojë t’u shërbejë njerëzve edhe pas largimit nga kjo jetë. Energjia pozitive që e karakterizonte le të reflektohet në këtë spital, ku njerëzit vijnë për t’u shëruar. Njeriu, në momente të vështira, kërkon ndihmë dhe mbështetje. Edhe ne do të përpiqemi t’ia ofrojmë atë me shumë dashuri, si në aspektin shpirtëror, ashtu edhe në atë mjekësor”, tha Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve.
Spitali, i ngritur tërësisht mbi themelet e bamirësisë, dashurisë vëllazërore dhe përkushtimit, është një godinë me infrastrukturë dhe pajisje moderne mjekësore.
“Falë përkushtimit dhe cilësisë së lartë të shërbimeve që ofrohen, ky spital është kthyer në një nga institucionet më të vlerësuara shëndetësore. Këtu ofrohen shërbime elitare në fushën e kardiologjisë, kirurgjisë laparoskopike, kirurgjisë së përgjithshme, urologjisë dhe pneumologjisë, të mbështetura nga profesorë dhe specialistë të nderuar, të gatshëm për t’iu përgjigjur çdo rasti që paraqitet. Spitali disponon gjithashtu një repart reanimacioni të standardeve të larta, me mjekë dhe reanimatorë shumë të përgatitur, si edhe shërbimin e neurokirurgjisë. Cilësia dhe profesionalizmi që ofrohen janë ndër vlerat kryesore të këtij institucioni. Sot, njerëzit kanë mundësinë të zgjedhin dhe të kërkojnë standardet më të larta të kujdesit shëndetësor, shërbimin më cilësor dhe përkushtimin maksimal në trajtimin e tyre”, tha Ylber Vata, mjek kardiolog.
Me një ekip mjekësh e infermierësh të udhëhequr nga devotshmëria dhe profesionalizmi, spitali funksionon prej më shumë se 10 vitesh, falë kontributit të besimtarëve.
Gazetare: E. Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




