Studentët në protestë para Kryeministrisë, kërkojnë zhbllokimin e institucioneve në Kosovë
Zhbllokimin e institucioneve dhe fillimin e punës së Kuvendit kërkuan studentë të Universitetit të Prishtinës, të cilët iu bashkuan të hënën protestës së Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës, para godinës së qeverisë së vendit.
Një student deklaroi: “Si ta ndërtojmë të ardhmen këtu, kur ata që duhet të ndërtojnë të tashmen nuk po funksionojnë. Duam mundësi për të rinjtë dhe duam institucione që punojnë. Mos e nënvlerësoni asnjëherë studentin, sepse shumë herë në historinë e këtij vendi, kur të tjerët kanë pritur, studentët gjithmonë kanë dalë përpara.”
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se qeveria e kryeministrit në detyrë dhe kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, studentëve u ka ofruar vetëm largimin nga Kosova.
“300.000 njerëz e kanë lënë Kosovën për pesë vjet. Ky nuk është migrim, kjo nuk është lëvizje e njerëzve, kjo është zhvendosje masive e njerëzve prej Kosovës.”
Ndërsa deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, i bëri sërish thirrje Kurtit t’i japë fund moskonstituimit të Kuvendit dhe t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja.
“Sot jemi këtu pranë qeverisë, para qeverisë, dhe abuzimi me shtetin po vazhdon, bllokada me shtetin po vazhdon. Ajo çka është e rëndësishme është se ne jemi betuar si deputetë për ta mbrojtur kushtetutën dhe gjithmonë do të jemi në mbrojtje të saj. Nuk do të ndalemi derisa institucionet të formohen, qeveria të formohet dhe të vazhdojmë punën e të mos bllokohemi. Andaj ftoj edhe një herë zotin Kurti që të vijë në Kuvend, të formojë institucionet dhe të vazhdojmë punën tutje.”
Prej disa kohësh, PDK dhe Aleanca protestojnë para godinës së qeverisë, ku kërkojnë konstituimin e Kuvendit, një proces që Lëvizja Vetëvendosje – e cila doli forcë e parë në zgjedhjet e qershorit dhe ka të drejtë të propozojë emrin e kryeparlamentarit të ri – e ka kushtëzuar me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




