“Stuhitë” nënujore po shkatërrojnë akullnajat, rrezik për rritjen e nivelit të detit

Kuriozitete | 10 muaj më parë

Një studim i ri tregon se “stuhitë” nënujore, vorbulla oqeanike që ndryshojnë me shpejtësi, po shkrijnë agresivisht shtresat e akullit të dy akullnajave jetësore të Antarktidës, përfshirë edhe Thwaites, e njohur si “Akullnaja Doomsday” për shkak të ndikimit shkatërrues që shembja e saj mund të ketë në rritjen globale të nivelit të detit.

Gjatë dekadave të fundit, këto akullnaja kanë përjetuar shkrirje të shpejtë të nxitur nga ngrohja e ujërave të oqeanit. Studiuesit analizuan për herë të parë ndikimin e proceseve oqeanike që ndodhin jo gjatë stinëve apo viteve, por brenda orëve dhe ditëve.

“Po e shqyrtojmë oqeanin në periudha kohore shumë të shkurtra, të ngjashme me motin”, tha Yoshihiro Nakayama, bashkautor i studimit dhe profesor në Dartmouth.

Këto vorbulla, të quajtura submesoscales, janë rrotullime të fuqishme uji që formohen aty ku takohen ujërat e ngrohta me ato të ftohta. Ato mund të arrijnë deri në 6 milje në diametër dhe lëvizin me shpejtësi të mëdha.

“Mendoni për këto si rrotullime uji kur përzieni një filxhan, por shumë më të mëdha dhe shumë më të fuqishme”, shpjegon Mattia Poinelli, studiues në Universitetin e Kalifornisë, Irvine.

Këto vorbulla, thotë studimi i publikuar në Nature Geosciences, depërtojnë në zonat e ndjeshme midis shtresës së akullit dhe shtratit të detit, duke tërhequr ujë më të ngrohtë nga thellësitë dhe duke rritur ndjeshëm shkrirjen e akullit.

Përmes modeleve kompjuterike dhe të dhënave reale oqeanike, shkencëtarët zbuluan se “stuhitë” nënujore shkaktojnë rreth 20% të shkrirjes së akullit në vetëm nëntë muaj.

Shtresat e akullit të Antarktidës veprojnë si mburoja natyrore që ngadalëson rrjedhjen e akullnajave drejt oqeanit. Shembja e tyre do të kishte pasoja katastrofike.

Vetëm akullnaja Thwaites mban ujë të mjaftueshëm për të ngritur nivelin e detit me 60 cm. Por si një “tapë” që mban pas akullin e Antarktidës Perëndimore, shkatërrimi i saj i plotë mund të shkaktojë një rritje globale të nivelit të detit deri në 3 metra, mjaftueshëm për të përmbytur qytete të tëra bregdetare dhe për të zhvendosur miliona njerëz.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme