Sulme me raketa ndaj aeroporteve saudite, 3 të vrarë dhe 36 të plagosur

Botë | 18 minuta më parë

Tre persona kanë humbur jetën dhe 36 të tjerë janë plagosur në sulmet ndaj dy aeroporteve në Arabinë Saudite, ndërsa konflikti në Jemen është përshkallëzuar ndjeshëm. Tre persona janë vrarë në sulmet ndaj aeroporteve saudite, njoftuan autoritetet e aviacionit civil të Arabisë Saudite. Sulmet vijnë në një moment kur luftimet në Jemen mes rebelëve Huthi dhe forcave qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite janë intensifikuar.

Sipas autoriteteve, një person u vra dhe tetë të tjerë u plagosën në një sulm ndaj Aeroportit Ndërkombëtar King Khalid në Riad.

Ndërkohë, në sulmin ndaj objekteve të aeroportit të Abhas, dy persona humbën jetën dhe 28 të tjerë u plagosën. Autoritetet saudite nuk kanë bërë të ditur se cili prej sulmeve ndodhi të martën dhe cili të mërkurën.

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili lufton kundër Huthëve në Jemen, ka paralajmëruar hakmarrje. Në një deklaratë të publikuar të mërkurën në mbrëmje, koalicioni tha se kishte goditur më shumë se 80 objektiva ushtarake të Huthëve në provincat Saada, Hodeidah, Jawf dhe Marib.

Sulmet ndaj aeroporteve saudite janë pjesë e një serie goditjesh ndaj infrastrukturës së aviacionit në rajon. Edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Adenit në Jemen është sulmuar me raketa balistike dhe dronë të mbushur me eksplozivë. Sipas Ministrisë së Transportit të Jemenit, një raketë ra pranë pistës vetëm pak minuta përpara se të ulej një avion që vinte nga Kajro.

Aeroporti i Adenit konsiderohet një prej pikave kryesore të lidhjes ndërkombëtare për zonat e Jemenit që nuk kontrollohen nga Huthët. Përplasjet e fundit janë përqendruar në zonat përreth Ngushticës së Bab el-Mandeb, një korridor strategjik për transportin detar dhe tregtinë ndërkombëtare. Forcat qeveritare jemenase, të mbështetura nga aviacioni i koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, kanë nisur një kundërsulm për të rimarrë territore strategjike pranë ngushticës dhe qytetit Mocha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme