Sulmet izraelite në Gaza, Shtëpia e Bardhë: Netanjahu s’na ka sjellë një plan për mbrojtjen e civilëve

Botë | 3 vite më parë

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur sot se ende nuk ka parë një plan të besueshëm nga qeveria izraelite se si do të mbronte qindra mijëra civilë në Gazën jugore nëse vazhdon me operacionin e gjerë ushtarak në qytetin Rafah.

“Ne nuk do të mbështesim, nuk mund të mbështesim një operacion në Rafah që nuk ka një plan të ekzekutueshëm, të verifikueshëm dhe të arritshëm për t’u kujdesur për 1.5 milion njerëz që po përpiqen të gjejnë strehim në Rafah” tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

Kirby shpjegoi se qeveria izraelite ka thënë se ata kanë një plan evakuimi të quajtur “ishujt humanitarë”, por SHBA është e hapur vetëm për “çdo plan të besueshëm për t’u kujdesur për ta”

Qëndrimet e Shtëpisë së Bardhë vijnë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se kishte miratuar planet operacionale për në Rafah.

Kur u pyet se cila do të ishte përgjigja e SHBA-së nëse izraelitët do të lëviznin në Rafah në të njëjtën mënyrë si diku tjetër në Gaza, Kirby tha se “s’dua jap komente të mëtejshme”

Ndërkaq, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe agjencitë e tjera të ndihmës kanë ngritur alarmin për një inkursion të mundshëm të Izraelit në Rafah, duke thënë se palestinezët që strehohen atje tashmë janë zhvendosur  gjetkë në enklavë dhe nuk kanë ndonjë vend të sigurt për të lëvizur, transmeton CNN.

Gjithashtu palestinezët që ndoqën urdhrat e evakuimit mbetën të vrarë nga sulmet izraelite, duke nënvizuar realitetin se zonat e evakuimit dhe paralajmërimet nga ushtria izraelite nuk kanë garantuar sigurinë për civilët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme