Turizmi familjar në zonat rurale të Gjirokastrës, fermerët apelojnë për mbështetje nga shteti
Zhvillimi i turizmit në zonën e Gjirokastrës ka nxitur fermerët në zonat rurale për të çelur aktivitete të turizmit familjar, të cilat për të mbijetuar kanë nevojë për mbështetje dhe subvencionim nga shteti.
Në fshatin Nepravishtë familja Shyti prej disa vitesh administron një aktivitet turistik me të cilin siguron të ardhurat e përditshme. Pjesë e tij është kampingu i ndërtuar në mënyrë tradicionale është një fermë për rritjen e kafshëve dhe shpendëve dhe kultivimin e prodhimeve bujqësore bio.
Fermeri Gëzim Shyti shprehet se turistët janë të interesuar për tu akomoduar ndërsa preferojnë vlerat natyrore si dhe kulinarinë e zonës.
“Pëlqejnë ushqimet tradicionale, bio të fshatit. Shikojnë blegtorinë”, shprehet fermeri.
Pjesa më e madhe e turistëve janë të huaj dhe i tërheqin aktivitete të tilla që promovojnë vlerat natyrore si dhe traditat e fshatrave të Gjirokastrës.
“Të gjithë ata që kanë ardhur kanë ngelur të kënaqur”, shton ai.
Për ecurinë dhe mbijetesën e aktiviteteve turistike në fshatra fermerët kërkojnë mbështetje dhe subvencionim nga strukturat shtetërore.
Do të provojmë të ngremë si biznes, por duhet pak ndihmë nga shteti, ndryshe vështirë ta përballojmë. Ka shumë shpenzime.
Aktivitetet e turizmit në zonat rurale pasurojnë hartën e vizitueshmërisë së Gjirokastrës duke i bërë më interesante intineraret dhe udhëtimet turistike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




