Turizmi në Gjirokastër vijon trendin pozitiv, por sektori ka nevojë për përmirësim të shërbimeve
Sezoni turistik në Gjirokastër paraqitet me ritme pozitive, duke reflektuar një rritje të interesit nga vizitorët vendas dhe të huaj.
Sipas operatorëve turistikë, rezervimet kanë qenë të kënaqshme, ndërsa pritet që fluksi të shtohet edhe më shumë gjatë muajve të verës.
Megjithatë, krahas zhvillimit të turizmit, operatorët ngrenë edhe një sërë problematikash që kërkojnë zgjidhje. Një ndër shqetësimet kryesore mbetet mungesa e sinjalistikës së qartë turistike, e cila shpesh vështirëson orientimin e vizitorëve.
Vasili Garo, operator turistik, u shpreh për RTSH se, “Komunitetet dhe njësitë vendore po përpiqen të reagojnë, por mbeten të njëjtat probleme sikurse janë menaxhimi i plehrave. Turistët kanë nevojë për më shumë informim mbi sinjalistikën, udhëzimin e shtigjeve të aventurës, markimet e shtigjeve për hiking dhe sinjalistikën në pikat arkeologjike.”
Operatorët theksojnë se përmirësimi i infrastrukturës dhe investimet në burimet njerëzore janë thelbësore për të garantuar një eksperiencë më cilësore për turistët.
“Drejtuesit e bizneseve kanë pranuar se kanë këto probleme dhe po përpiqen t’i rregullojnë, duke nisur nga digjitalizimi, trajnimet e stafit, përkujdesja komunitare dhe trajtimi i mbetjeve,” shtuan ata.
Pavarësisht sfidave, pritshmëritë për sezonin turistik mbeten pozitive. Operatorët turistikë shprehen se me ndërhyrjet e duhura dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, Gjirokastra ka potencial të rrisë më tej cilësinë dhe qëndrueshmërinë e turizmit në vitet në vijim.
Gazetare: E. Domeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





