Turizmi në Shkodër, të huajt të interesuar kryesisht për Kalanë dhe Urën e Mesit
Disa prej investimeve që po realizohen në infrastrukturën rrugore kanë patur ndikim të konsiderueshëm në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në bashkinë e Shkodrës, duke nxitur jo vetëm rritjen e numrit të turistëve, por edhe gjallërimin në sektorët e shërbimeve. Kalaja “Rozafa” bashkë me Urën e Mesit janë dy nga atraksionet më të vizituara në Shkodër.
“Pjesa më e madhe e tyre janë të interesuar për të shikuar Kalanë. Pjesa më e madhe e turistëve janë spanjollë dhe francezë që këtë vit kanë qenë më të shumtë në numër”, deklaroi Specialistja e Zyrës së Informimit, Imelda Mullini.
Për mikrofonin e RTSH, turistët kanë rrëfyer emocionet e tyre për Shkodrën.
“Është hera jonë e parë në Shqipëri dhe po e shijojmë shumë. Fjetëm pranë lumit dhe e pamë Kalanë prej aty. Kështu që, donim ta vizitonim kalanë e qytetit”, tha një prej turistëve.
“Jam nga Franca, është hera e parë në Shqipëri dhe Ballkan. Sapo kam ardhur në Shkodër dhe deri tani kam vizituar Xhaminë dhe Urën e Mesit”, deklaroi një tjetër turist.
Shkodra ka edhe një ofertë të rëndësishme kulturore ku Muzeu “Marubi”, Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës, Muzeu “Oso Kuka”, Muzeu i Kalasë, ngjallin kureshtjen e turistëve.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





