U ndalua nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, Policia e Shtetit jep detaje për arrestimin e Ermal Beqirit, kërkohej nga SPAK për disa vepra penale
Autoritetet franceze kanë arrestuar në qytetin e Amiens shtetasin shqiptar Ermal Beqiri, 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Arrestimi u bë si rezultat i bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lion, pas shkëmbimit të informacionit ndërmjet dy strukturave. Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, autoritetet franceze kanë konfirmuar ndalimin e Beqirit, ndaj të cilit Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai akuzohet për një sërë veprash penale, mes tyre “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Sipas autoriteteve, Beqiri u ndalua fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia referuan çështjen strukturave të Xhandarmërisë Franceze.
Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim. Gjatë ditës së nesërme pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, si pjesë e procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.
KUSH ËSHTË ERMAL BEQIRI
Ermal Beqiri është një inxhinier elektronik, ekspert i teknologjisë së informacionit dhe sipërmarrës shqiptar Beqiri ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare në kuadër të hetimeve për skandalin e tenderave të AKSHI-t.
Beqiri ka kryer studimet universitare (Bachelor dhe Master) në Francë dhe më pas ka përfunduar doktoraturën në Universitetin e Tiranës. Ai ka shërbyer si Drejtor i TI-së në Rektoratin e Universitetit të Tiranës dhe në Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), teksa është pronar i kompanisë “Soft & Solution” (të cilën e bleu në vitin 2021) dhe ka pasur aksione ose ka themeluar subjekte të tjera si Horizon, ITirana, R&D Solution dhe shoqatën ACTI.
Beqiri u bë i njohur fillimisht për publikun në vitin 2011 si një nga tre ekspertët e caktuar nga gjykata për të vlerësuar vërtetësinë e videos së fshehtë mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit, ku ekspertiza e tij doli në përfundimin se videoja nuk ishte origjinale.
Në prill të vitit 2026, Gjykata e Posaçme vendosi nën sekuestro kompanitë e tij “Soft & Solution” dhe “Horizon”, si dhe disa automjete luksoze. Megjithatë, mediat raportuan se kompanitë e tij vazhdonin të fitonin tendera publikë (si ai i Universitetit të Tiranës) edhe gjatë kohës që ai ishte në arrati.
NDALIMI NË FRANCË
Ndalimi i Beqirit u raportuar ditën e djeshme nga mediat franceze si një ngjarje e pazakontë që vuri në alarm autoritetet franceze të sigurisë. Sipas raportimit Ermal Beqiri, u arrestua pasi fluturoi në mënyrë të paligjshme mbi një nga objektet më të ndjeshme të infrastrukturës energjetike në vend.
Media franceze Le Journal du Dimanche shkruante se avioni i tij i vogël civil fluturoi mbi centralin bërthamor Penly, në zonën Petit-Caux të rajonit Seine-Maritime, në një lartësi më të ulët se limiti ligjor i lejuar për hapësirat e mbrojtura ushtarake dhe strategjike.
Manovra e papritur e mjetit fluturues ngriti menjëherë alarmin te sistemet e monitorimit të hapësirës ajrore. Të dhënat tregojnë se piloti bëri një ulje të qëllimshme në lartësi gjatë kohës që ndodhej mbi hapësirën e centralit:
“Ndërsa fluturonte në një lartësi prej 3,700 këmbësh (afërsisht 1,200 metrash), piloti papritmas uli hundën e avionit në 3,500 këmbë, një lartësi nën limitin ligjor për fluturimin mbi vende të ndjeshme.”, raporton media franceze Le Journal du Dimanche.
Pas konstatimit të shkeljes së hapësirës ajrore, u aktivizua menjëherë protokolli i sigurisë kombëtare. Forcat Ajrore dhe Hapësinore franceze dërguan një ushtarak për të ndjekur dhe shoqëruar aeroplanin civil deri në ulin e tij. Përveçse është një central bërthamor me rëndësi të madhe, Penly është edhe vendi ku po ndërtohen reaktorët e rinj bërthamorë EPR-2, një projekt që ndiqet me interes nga e gjithë bota.
Mjeti ajror u detyrua të ulej në aeroportin Albert në rajonin e Somme, ku policia franceze po priste në pistë për të kryer arrestimin e menjëhershëm të pilotit shqiptar.
Gjatë kontrollit fizik dhe të mjetit, hetuesve u ranë në sy disa detaje që shtuan dyshimet mbi qëllimin e vërtetë të fluturimit:
“Pilotit iu gjetën tre pajisje gjurmimi me vete.”, shkruan JDD.
Profili i shtetasit shqiptar dhe prania e pajisjeve të gjurmimit kanë bërë që autoritetet të thellojnë hetimet në disa pista.
Sipas burimeve të policisë franceze, hetuesit nuk e përjashtojnë mundësinë e një akti spiunazhi industrial apo ushtarak, ndërsa i dyshuari ndodhet në kushtet e paraburgimit ku po i nënshtrohet marrjes në pyetje për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
DËSHMIA
Beqiri u pikas duke pilotuar një avion të vogël privat mbi centralin bërthamor të Penly në Seine-Maritime (Normandi). Ai uli lartësinë e fluturimit në 3,500 këmbë, duke shkelur kufirin ligjor të mbrojtjes për objektet strategjike.
Pas kësaj Forcat Ajrore franceze dërguan një avion ushtarak për të shoqëruar mjetin e tij deri në aeroportin e Albertit në Somme, ku u vu menjëherë në pranga.
Gjatë kontrollit fizik, autoritetet franceze i gjetën të fshehura në trup tri pajisje gjurmimi të tipit “AirTag”. Por përpara hetuesve francezë, Beqiri deklaroi se ulja e lartësisë ishte aksidentale dhe se në atë moment kishte humbur vëmendjen sepse po fliste në telefon me nënën e tij.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




