Ulet nafta, rritet benzina! Bordi publikon çmimet e reja të karburanteve

Ekonomi | 12 minuta më parë

Bordi i Transparencës ka ndryshuar sërish çmimet e karburanteve. Çmimi i naftës ka pësuar ulje me 4 lekë për litër, ndërsa ai i benzinës është rritur me 1 lekë për litër. Vendimi është marrë këtë të premte, më 9 tetor, nga Bordi i Transparencës, një ditë pas rritjes së çmimeve të karburanteve.

Sipas vendimit të ri, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për naftën do të jetë 213 lekë për litër, nga 217 lekë që ishte përcaktuar një ditë më parë. Ndërkohë, benzina do të tregtohet me jo më shumë se 194 lekë për litër, krahasuar me 193 lekë për litër në vendimin e mëparshëm.

Sa i përket shitjes me shumicë, çmimi maksimal i naftës është përcaktuar në 201 lekë për litër, ndërsa ai i benzinës në 182 lekë për litër.

Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi sot, në orën 13:00, dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur do të rishikohen në varësi të ndryshimeve të tregut. Bordi u ka rikujtuar operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë detyrimin për të zbatuar çmimet e përcaktuara. Në rast shkeljesh, ndaj subjekteve përgjegjëse mund të vendoset pezullimi i aktivitetit.

“Bordi i Transaparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.

Kështu Bordi i Transparencës në datë  9 Tetor 2026, vendosi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 213 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 201 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 194 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 182 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 9 ora  13. 00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme