Universiteti Politeknik hap shkollën doktorale vitin e ardhshëm, gati edhe një program i ri studimi
Dy programet e reja të studimit, ai i Inxhinierisë Kompjuterike dhe Inxhinierisë në Sistemet Elektronike, të cilat u hapën për herë të parë këtë vit akademik në kampusin e Compiègne, kanë rezultuar një bum kërkesash nga të rinjtë.
Rektori i Universitetit Politeknik, Akli Fundo, në një intervistë për RTSH ka sqaruar se nga viti i ardhshëm do të ofrohen edhe studime doktorale në një shkollë të posaçme, që do të hapet pranë Universitetit Politeknik të Tiranës.
“Studentët do të mësojnë në Shqipëri nga profesorë të dy universiteteve dhe do të marrin diplomë europiane dhe diplomë të Universitetit Politeknik të Tiranës. Për Inxhinierinë Kompjuterike ka pasur, për 24 vende, 1800 kërkesa. Njësoj ka qenë edhe për Inxhinierinë Informatike. Në mbledhjen e parë që bëmë të kryesisë së kampusit ICCT, vendosëm që këtë bashkëpunim do ta shtrijmë edhe në shkollën doktorale”, tha Fundo.
Vitin e ardhshëm ky universitet do të hapë edhe një program të ri, Data Science dhe Inxhinieri Kompjuterike.
“Studentët do t’i ndjekin mësimet dy vjet, ndoshta në Fakultetin e Inxhinierisë Matematike-Fizike dhe një vit në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit dhe pastaj, me diplomën që do të marrin të përbashkët nga dy dekanët dhe rektori i Universitetit Politeknik, këta do të kenë të drejtën të ndjekin masterat edhe në Teknologjinë e Informacionit dhe në Fakultetin e Matematikës, në këto degë që janë shumë të rëndësishme për Universitetin Politeknik”, nënvizoi ai.
Programet që ofron kampusi i Compiègne zhvillohen në 3 gjuhë, në shqip, anglisht dhe frëngjisht dhe 30 % e studentëve që do të mbarojnë me rezultate të larta në këto programe studimi do t’u jepet e drejta për të ndjekur shkollën inxhinierike në Francë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





