Vau-Dejës, turizëm në vjeshtë/Natyra, tradita dhe gastronomia mbajnë gjallë interesin e turistëve
Vau-Dejës po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje si një destinacion turistik në veri të vendit. Natyra, tradita dhe mikpritja po e bëjnë zonën pjesë të itinerareve turistike, ndërsa vizitorët po rikthehen për ta përjetuar nga afër.
“Unë jam operator turistik dhe guide turistike qe sjelli turiste . eshte hera e 12 ne Shqipëri dhe ne Vau Dejës hera e 9.Gjate vizitave këtu kam zbuluar qe vau dejës ka shumë gjera te veçanta qe shpjegojnë gjithçka për Shqipërinë”, Havier Labramovic, operator turistik.
Rikthimi i vazhdueshëm i grupeve turistike tregon interesin në rritje për këtë zonë. Për drejtuesen e turizmit në Vau-Dejës, Samela Zagani, destinacioni po bëhet gjithnjë e më tërheqës për vizitorët, veçanërisht për ata që kërkojnë eksperienca autentike dhe larg itinerareve tradicionale.
“Vau i Dejës aktualisht po afron një përvojë autentike që ndoshta nuk mund ta gjejnë diku tjetër. Mikpritja që njerëzit, banorët dhe komuniteti ofrojnë, bukuria, qetësia, natyra, liqenet dhe kultura po promovohen gjithnjë e më shumë”, tha Zagani.
Por turizmi në Vau-Dejës nuk lidhet vetëm me peizazhet dhe atraksionet natyrore. Në këtë ofertë po bëhen pjesë edhe banorët e zonës, të cilët po hapin dyert e shtëpive të tyre për turistët, duke u ofruar jo vetëm mikpritje, por edhe shije të kuzhinës tradicionale.
“Dyert e shqiptarëve janë të hapura gjithmonë dhe të gjithë janë të mirëpritur në vendin tonë. Bukën me miell gruri, byrekun e gatuar vetë, peshkun që e rris vetë, pulat, vezët, mishin – çdo gjë mundohem ta bëj vetë”, tha Lindita Tanishi, banore.
Në Vau-Dejës turistët gjejnë natyrën, peizazhet, traditën dhe mbi të gjitha mikpritjen e banorëve. Nga gatimet tradicionale te eksperiencat e jetës së përditshme, zona po u ofron vizitorëve një tjetër mënyrë për ta njohur veriun, përmes shijeve dhe kulturës së tij.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





