Vendet nordike dhe Finlanda, publikojnë këshilla të reja për mbijetesën në luftë

Botë | 2 vite më parë

Të hënën, miliona suedezë do të fillojnë të marrin kopje të një pamfleti që këshillon popullatën se si të përgatitet dhe të përballet në rast lufte ose një krize tjetër të papritur.

“Në rast krize apo lufte” është përditësuar nga gjashtë vjet më parë, për shkak të asaj që qeveria në Stokholm e quan situatën e përkeqësuar të sigurisë, me të cilën nënkuptohet pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia.

Broshura është gjithashtu dy herë më e madhe krahasuar me 6 vite më parë. Finlanda fqinje sapo ka publikuar këshillat e saj të reja në internet për “përgatitjen për incidente dhe kriza”.

Dhe norvegjezët gjithashtu kanë marrë kohët e fundit një broshurë që u kërkon atyre të përgatiten për të menaxhuar vetë për një javë në rast të motit ekstrem, luftës dhe kërcënimeve të tjera.

Gjatë verës, agjencia e menaxhimit të emergjencave të Danimarkës tha se po u dërgonte me email të rriturve danezë detaje mbi ujin, ushqimin dhe ilaçet që do t’u duheshin për të kaluar një krizë për tre ditë.

Në një seksion të detajuar mbi konfliktin ushtarak, broshura digjitale finlandeze shpjegon se si qeveria dhe presidenti do të përgjigjeshin në rast të një sulmi të armatosur, duke theksuar se autoritetet finlandeze janë “të përgatitura mirë për vetëmbrojtje”.

Suedia iu bashkua NATO-s vetëm këtë vit, duke vendosur si Finlanda që të aplikojë pasi Moska zgjeroi luftën e saj në 2022. Norvegjia ishte një anëtare themeluese e aleancës mbrojtëse perëndimore.

Ndryshe nga Suedia dhe Norvegjia, qeveria e Helsinkit ka vendosur të mos printojë një kopje për çdo shtëpi pasi “do të kushtonte miliona” dhe një version digjital mund të përditësohej më lehtë.

“Ne kemi dërguar 2.2 milionë kopje letre, një për çdo familje në Norvegji,” tha Tore Kamfjord, i cili është përgjegjës për fushatën e vetë-përgatitjes në Drejtorinë Norvegjeze për Mbrojtjen Civile (DSB).

Të përfshira në listat e artikujve që duhen mbajtur në shtëpi janë ushqime me jetëgjatësi, si p.sh. teneqe me fasule, shufra energjike dhe makarona, si dhe ilaçe, duke përfshirë tabletat e jodit në rast të një aksidenti bërthamor.

Oslo dërgoi një version të mëparshëm në 2018, por Kamfjord tha se ndryshimet klimatike dhe ngjarjet më ekstreme të motit, si përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut, kishin sjellë rreziqe në rritje.

Për suedezët, ideja e një broshure të urgjencës civile nuk është asgjë e re. Edicioni i parë i “If War Comes” u prodhua gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u përditësua gjatë Luftës së Ftohtë.

Por një mesazh është zhvendosur nga mesi i broshurës:

“Nëse Suedia sulmohet nga një vend tjetër, ne nuk do të dorëzohemi kurrë. Të gjitha informacionet që thonë se rezistenca do të pushojë është e rreme.”

Jo shumë kohë më parë Finlanda dhe Suedia ishin ende shtete neutrale, megjithëse infrastruktura e tyre dhe “sistemi total i mbrojtjes” datojnë që nga Lufta e Ftohtë.

Ministri suedez i Mbrojtjes Civile Carl-Oskar Bohlin tha muajin e kaluar se ndërsa konteksti global kishte ndryshuar, informacioni për familjet suedeze duhej të pasqyronte gjithashtu ndryshimet.

Në fillim të këtij viti ai paralajmëroi se “mund të ketë luftë në Suedi”, megjithëse kjo u pa si një thirrje zgjimi, sepse ai ndjeu se lëvizjet drejt rindërtimit të asaj “mbrojtjeje totale” po përparonin shumë ngadalë.

Për shkak të kufirit të saj të gjatë me Rusinë dhe përvojës së saj të luftës me Bashkimin Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore, Finlanda ka mbajtur gjithmonë një nivel të lartë mbrojtjeje. Sidoqoftë, Suedia e zvogëloi infrastrukturën e saj dhe vetëm vitet e fundit filloi të përgatitej përsëri.

“Nga këndvështrimi finlandez, kjo është pak e çuditshme,” sipas Ilmari Kaihko, profesor i asociuar i studimeve të luftës në Universitetin Suedez të Mbrojtjes.

“[Finlanda] nuk harroi kurrë se lufta është një mundësi, ndërsa në Suedi, njerëzit duhej të tronditeshin pak për të kuptuar se kjo mund të ndodhë në të vërtetë,” thotë Kaihko, e cila është nga Finlanda, shkruan BBC.

Melissa Eve Ajosmaki, 24, e cila është me origjinë nga Finlanda, por studion në Goteborg, thotë se u ndje më e shqetësuar kur shpërtheu lufta në Ukrainë.

“Tani ndihem më pak i shqetësuar, por ende e kam në fund të kokës mendimin se çfarë duhet të bëj nëse do të kishte luftë. Sidomos tani pasi e kam familjen time në Finlandë”.

Udhëzuesit përfshijnë udhëzime se çfarë duhet të bëjnë në rast të disa skenarëve dhe u kërkojnë qytetarëve të sigurohen se mund të përballen vetë, të paktën fillimisht, në rast të një situate krize.

Finlandezët janë pyetur se si do të përballonin pa energji elektrike për ditë të tëra me temperaturat e dimrit deri në -20C.

Lista e tyre e kontrollit përfshin gjithashtu tableta jodi, si dhe ushqime të thjeshta për t’u gatuar, ushqim për kafshët shtëpiake dhe një furnizim rezervë me energji elektrike.

Lista e kontrollit suedez rekomandon patate, lakër, karrota dhe vezë së bashku me kanaçe me salcë bolognese dhe supë të përgatitur me boronica dhe trëndafila.

Ekonomisti suedez Ingemar Gustafsson, 67 vjeç, kujton se kishte marrë versionet e mëparshme të pamfletit:

“Nuk jam aq i shqetësuar për të gjithë këtë gjë, kështu që e marr me qetësi. Është mirë që marrim informacione se si duhet të veprojmë dhe si duhet të përgatitemi, por nuk është se i kam gjithë ato përgatitje në shtëpi”.

Një nga rekomandimet më të rëndësishme është mbajtja e mjaftueshëm e ushqimit dhe ujit të pijshëm për 72 orë.

Por Ilmari Kaihko pyet nëse kjo është praktike për të gjithë.

“Ku e ruani nëse keni një familje të madhe që jeton në një apartament të vogël?”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme