“Virgjëreshat shqiptare” shfaqet në Patos, filmi trajton kanunin dhe vendimin e një gruaje kundër shoqërisë së kohës

Kulturë | 29 minuta më parë

“Virgjëreshat Shqiptare” shfaqen në vendlindjen e regjisorit Bujar Alimani. Filmi dramatik që trajton temën e njohur të kanunit dhe kalimit të një vajze në burrneshë u  shfaq në kinemanë e qytetit të Patosit. Regjisori Alimani teksa ndan emocionet e rikthimit  flet dhe për skenarin e filmit, shkruar studiuesja gjermane Katja Kittendorf.

“E di si një obligim shumë të madh të vij në qytetin tim dhe të bëj aq sa mundem për qytetarët. Katja Kidendorf merret prej shumë vitesh, mbi 20 e ca vjet, me këtë temë dhe jemi konsultuar shumë herë përpara xhirimeve. Kemi rishikuar skenarin dhe kemi bërë disa korrigjime të vogla. Nuk është bërë ndonjëherë në Shqipëri apo në Kosovë një produksion kaq i madh”, u shpreh regjisori Bujar Alimani.

Në rolin kryesor të Luanës, është aktorja nga Kosova, Rina Krasniqi. Ajo thotë se tema e trajtuar është pritur  mjaft mirë në skenat ndërkombëtare ndërsa  është vlerësuar me disa cmime ndërkombëtare . Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë (Poloni),në 2021 Virgjëreshat shqiptare rrëmbeu Çmimin e Jurisë dhe Çmimin Ekumenik.

“Zakonisht kanë qarë për mua. Është ndoshta reflektimi më i mirë që mund t’i bësh publikut. Një nivel i tillë produksioni, siç e ka pasur dhe e ka ky film, ka qenë një befasi për trevat tona. Një standard shumë i lartë ndërkombëtar, hollivudian, që trajton një histori shqiptare” ,tha aktorja Rina Krasniqi.

Ngjarja zhvillohet në Shqipërinë e vitit 1958. Luana dashuron Agimin, djalin e një familjeje të përndjekur nga regjimi komunist. Megjithatë, për shkak të një martese me shkuesi dhe zakoneve të ashpra të Kanunit, dashuria e tyre bëhet e pamundur. Pas vrasjes së babait të saj, Luana merr një vendim ekstrem për të shpëtuar nga fati i saj si viktimë e shoqërisë patriarkale. Ajo betohet të kthehet në burrneshë duke ndjekur rregullat e Kanunit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme