Viti i ri shkollor – Në Kukës, institucionet arsimore në përgatitjet e fundit për infrastrukturën

Arsim | 1 vit më parë

Më 8 shtator do të nisë viti i ri mësimor në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar. Në qarkun e Kukësit, bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë janë në përgatitjet e fundit për mirëmbajtjen dhe shërbimet në objektet arsimore. Prefekti i Qarkut, Dritan Baji, tha se gjithçka do të jetë gati për të pritur nxënësit në ditën e parë të shkollës.

“Në bashkinë Kukës ka përfunduar procesi i lyerjes së të gjitha shkollave. Po bëhet riparimi i pjesës së brendshme të shkollave aty ku është e nevojshme. Vazhdon edhe rikonstruksioni i shkollës “Avni Rustemi”. Në bashkinë Tropojë po vijohet me të njëjtin ritëm me procesin e mirëmbajtjes së objekteve shkollore. Edhe në bashkinë Has janë përgatitjet e fundit që po bëhen për t’u përgatitur për vitin e ri shkollor”, u shpreh prefekti Baji.

Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Avni Rustemi” në Kukës do të nisin edhe këtë vit mësimin me turne në dy shkolla të tjera, për shkak të punimeve të mbetura në rikonstruksionin e plotë të shkollës. Ndërsa nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Besëlidhja e Malësisë” në Tropojë dhe asaj të mesme “Skënderbeu” në Krumë do të vijojnë mësimin në ambientet e reja dhe të rikonstruktuara tërësisht.

Prefekti i qarkut, Dritan Baji, tha se është hartuar edhe plani i masave për garantimin e sigurisë në shkolla.

Në qarkun e Kukësit janë rreth 120 objekte të arsimit parauniversitar, një pjesë prej tyre shkolla vartëse dhe institucione të arsimit parashkollor.

Gazeta: Bujar Muçmata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme