“Vrasësit e veshkave”, kujdes me përdorimin e zgjatur të ilaçeve kundër dhimbjeve
Përdorimi i shpeshtë ose pa këshillim mjekësor i ilaçeve kundër dhimbjeve mund të ndikojë edhe në shëndetin e veshkave. Rreziku është më i lartë në disa kategori pacientësh dhe lidhet edhe me mënyrën e përdorimit të këtyre medikamenteve.
“Vrasësit më të mëdhenj të veshkave janë antiinflamatorët josteroidë, ose grupi i aspirinës, ibuprofenit, Voltarenit, naproksenit, meloksikamit e me radhë. Janë disa produkte që përdoren për sëmundjet reumatizmale, për dhimbjet e kyçeve, për dhimbjet e kokës, si analgjezikë. Ka pacientë me dhimbje koke kronike që nuk mund të marrin çdo ditë antiinflamatorë, sepse pas 20 vitesh mund t’i kenë veshkat pa funksion dhe të përfundojnë në dializë”, u shpreh Dhurata Golemi, mjeke nefrologe.
Përdorimi i sigurt i ilaçeve kundër dhimbjeve kërkon kujdes edhe për dozën dhe kohëzgjatjen e trajtimit.
“Paracetamoli është medikamenti që lufton dhimbjen në mënyrë më të shëndetshme sesa analgjezikët e tjerë. Nëse paracetamoli nuk është efikas dhe dhimbja ju persiston, atëherë duhet të konsultoheni me një mjek, i cili ju njeh dhe është në dijeni të problematikave që keni. Jo të gjithë analgjezikët mund të përdoren, sepse mund të provoni të shëroni një problem, por të dëmtoni një organ tjetër”, tha mjekja.
Përdorimi i qetësuesve sipas udhëzimeve dhe shmangia e marrjes së pakontrolluar ndihmojnë në mbrojtjen e funksionit të veshkave.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




