Zjarret në Mirditë, evakuohet pjesa më e madhe e Tenës. Dy helikopterë në operacion, flakët pranë banesave. Kryetari i bashkisë: Është i qëllimshëm

Aktualitet | 2 muaj më parë

Situata e zjarreve në bashkinë Mirditë vijon të jetë e vështirë, ndërsa dy vatra të mëdha janë aktivizuar në zonat e Tenës dhe Kodër Rrëshenit.

Flakët po përhapen me shpejtësi, të favorizuara nga era, temperaturat e larta dhe bimësia e dendur, duke iu afruar banesave në zonë.

Për shkak të rrezikut, pjesa më e madhe e fshatit Tenë është evakuuar, ndërsa zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura janë vendosur në mbrojtje të banesave.

Në operacion po ndërhyhet edhe nga ajri, me dy helikopterë, ndërsa në terren vijojnë të jenë të angazhuara strukturat e emergjencës dhe shërbimet zjarrfikëse.

Kryetari i Bashkisë Mirditë e ka cilësuar situatën si më të rrezikshmen në territorin e bashkisë. Ai tha se era dhe shpërndarja e familjeve në zonë e kanë vështirësuar ndërhyrjen e forcave.

“Sot është situata më e rrezikshme në Bashkinë Mirditë, pasi u favorizua nga era dhe kemi shumë familje të shpërndara në zonë, ndaj ka qenë e vështirë ndërhyrja. Fatmirësisht, deri në këto momente nuk kemi dëme në banesa dhe në jetë njerëzish. Në dy lagje kemi evakuuar banorët dhe po mundohemi të mbrojmë banesat që të mos preken nga zjarri. Situata është realisht e vështirë”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku ngriti gjithashtu dyshime se zjarret mund të jenë shkaktuar qëllimisht dhe kërkoi ndërhyrjen e organeve ligjzbatuese.

“Këtu duket se është një dorë që do t’i djegë pyjet. Policia duhet të marrë masa dhe ata që po djegin natyrën dhe po vënë në rrezik jetën e njerëzve duhet të përballen me ligjin”, tha ai.

Edhe At Dom Gjergj Meta ka reaguar për situatën, duke e cilësuar atë si mjaft shqetësuese. Ai theksoi se era dhe temperaturat e larta po favorizojnë përhapjen e flakëve, ndërsa ngriti edhe ai shqetësimin për mundësinë e zjarrvënies së qëllimshme.

“Situata është mjaft shqetësuese dhe era dhe nxehtësia e bëjnë zjarrin të përhapet. Më shqetësuese është që duket se është bërë nga dora e njeriut. Njerëzit po dëmtojnë pyjet, shtëpitë e tyre dhe jetën e njerëzve”, u shpreh At Dom Gjergj Meta.

Ai bëri apel për banorët dhe qytetarët që të tregohen të kujdesshëm dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e natyrës.

Ndërkohë, operacioni për shuarjen dhe izolimin e dy vatrave vijon në terren. Prioritet i forcave të angazhuara mbetet mbrojtja e banesave dhe e jetës së banorëve, ndërsa ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë do të vijojë në zonat ku terreni e vështirëson punën e ekipeve tokësore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme