16 mijë nxënës në arsimin profesional – Gonxhja: Regjistrimet për klasën e 10-të, të hapura deri më 30 shtator

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka uruar sot nisjen e vitit të ri shkollor për rreth 16 mijë nxënës të shkollave profesionale në Shqipëri.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Gonxhja ka shprehur mbështetjen e tij për të gjithë të rinjtë që kanë zgjedhur rrugën e arsimit profesional.
“Suksese 16 mijë nxënësve të shkollave profesionale që nisin sot vitin e ri arsimor! Një urim i veçantë për mbi 4,200 nxënësit e klasës së 10-të, të cilët për herë të parë nisin rrugëtimin drejt profesionit të tyre.”- shkruan Gonxhja.
Ministri gjithashtu rikujtoi se regjistrimet për klasën e 10-të në arsimin profesional mbeten të hapura deri më 30 shtator, përmes portalit zyrtar e-Albania.
Edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka përcjellë një mesazh urimi për nxënësit, mësuesit dhe prindërit në të gjithë vendin, duke ndarë emocionet e kësaj dite të veçantë dhe duke prezantuar risitë që do të shoqërojnë arsimin këtë vit.
Ministrja njoftoi se 30 shkolla të reja dhe të rehabilituara janë gati të presin nxënësit këtë vit, ndërsa rrjeti i laboratorëve inteligjentë në shkolla është zgjeruar në 340, me objektivin për të arritur në 1000 laboratorë në të gjithë vendin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





