24 gra kanadeze eksplorojnë veriun, këtë vit pritet të ketë një numër më të lartë turistësh të huaj
Margaret, Leeni dhe Trassy janë tre nga 24 turistet kanadeze që kanë zgjedhur të vizitojnë Kukësin, pas ndalesave të shumta në destinacione të ndryshme turistike të Shqipërisë.
Margaret dhe Leeni ndodhen për herë të dytë në vendin tonë. Ato kanë zgjedhur të eksplorojnë veriun përmes tureve me biçikleta, duke vizituar atraksionet më të njohura të zonës.
“Është hera e dytë që vij në Shqipëri. Ajo që me pëlqen më shumë është natyra dhe ushqimi. Në veri po zbulojmë edhe gjëra të tjera si mikpritja e njerëzve dhe klima e këndshme. Kemi vizituar Shkodrën, Valbonën dhe vende të tjera gjithçka duket mahnitëse”, u shpreh turistja.
Edhe për Leenin kjo është vizita e dytë në Shqipëri. Ajo tregon se eksperienca e vitit të kaluar e bindi të rikthehej sërish, këtë herë duke sjellë me vete edhe mikeshat e saj.
“Është hera e dytë që vij dhe mendoj që nuk do të jetë e fundit. Për Shqipërinë kisha lexuar artikuj të ndryshëm dhe kisha dëgjuar nga shqiptarët që jetojnë në Kanada, por derisa e pashë nga afër nuk e kuptoja vërtet bukurinë e saj”, tha turistja.
Ndërkohë, Trassy është një nga mikeshat e Leenit që po viziton Shqipërinë për herë të parë.
‘Jam për herë të parë këtu dhe erdha me mikeshat e mia. Prej një jave po udhëtojmë në Shqipëri me biçikleta dhe nuk e prisja ta shijoja kaq shumë këtë eksperiencë”, tha turistja tjetër.
Ndryshe nga viti i kaluar, këtë sezon vihet re një prani më e madhe e turistëve të huaj, të cilët mund t’i gjesh pothuajse në çdo aks rrugor dhe në çdo atraksion turistik të veriut. Mes tyre ka edhe vizitorë që zgjedhin të rikthehen më shumë se një herë, të tërhequr nga natyra, mikpritja dhe bukuritë e rajonit.
Gazetar: Dashmir Shehu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





