Plazhet e Sarandës të tejmbushur me turistë të huaj, vizitorët shijojnë detin dhe diellin
Plazhet e Sarandës po përjetojnë një sezon të ngarkuar turistik, me një numër të lartë vizitorësh të huaj që kanë zgjedhur qytetin bregdetar për pushimet e tyre. Turistët po shijojnë ditët me diell, ujërat e detit Jon dhe atmosferën që ofron bregdeti i Sarandës gjatë verës.Vizitorët e huaj shprehen të kënaqur jo vetëm me bukuritë natyrore, por edhe me mikpritjen dhe shërbimet që gjejnë në qytet.
“Është hera e parë që vijmë në Sarandë dhe jemi shumë të kënaqur me zgjedhjen tonë. Plazhet janë shumë të bukura, deti është i pastër dhe atmosfera këtu është fantastike. Kemi kaluar ditë shumë të këndshme duke shijuar diellin, bregdetin dhe bukuritë e këtij vendi. Është një destinacion që do t’ua rekomandonim edhe miqve tanë” shprehet turisti.
“Kemi ardhur në Sarandë për të shijuar detin dhe pushimet verore dhe deri tani kemi pasur një eksperiencë shumë të mirë. Na pëlqen shumë bregdeti, uji i kristaltë dhe ambienti që ofron qyteti. Përveç plazheve të bukura, vlerësojmë edhe mikpritjen e njerëzve dhe atmosferën e ngrohtë që kemi gjetur këtu. Është një vend ku do të donim të riktheheshim përsëri.”, vlerëson turisti.
Shumë prej tyre vlerësojnë pozitivisht edhe çmimet, duke i konsideruar të përshtatshme krahasuar me destinacione të tjera turistike.
“Çmimet janë të mira dhe të ngjashme me ato në Itali, madje disa gjëra janë edhe më të lira. Kemi gjetur një raport shumë të mirë mes cilësisë dhe çmimit.”, tha një tjetër.
Me një sezon që po shënon një prani të lartë të turistëve të huaj, Saranda vijon të konfirmojë pozicionin e saj si një nga destinacionet më të kërkuara të bregdetit shqiptar.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





