493 të regjistruar në kurset profesionale, qendra në Gjirokastër ofron 40 programe për tregun vendas e të huaj
493 kursantë ka pritur gjatë periudhës janar–gusht Qendra e Formimit Profesional në Gjirokastër. Një pjesë e tyre tashmë janë certifikuar, ndërsa të tjerë janë në proces të ndjekjes së kurseve.
“Ndër këta [kursantë] kemi të përfshirë edhe personat me aftësi ndryshe, kemi romë dhe egjiptianë, kemi nga ndihma ekonomike dhe kursantë për kurse aftësimi për punësim,” thotë drejtoresha e Qendrës, Mira Lapa.
Sipas drejtoreshës, kurset më të ndjekura janë të “kuzhinës, për elektricist, hidraulik, parukeri, rrobaqepësi, pastiçeri, pasi pas përfundimit të kurseve, këta [kursantë] shprehin dëshirën për t’u punësuar në biznese të ndryshme“.
Për zhvillimin e praktikave kjo qendër aktualisht ka marrëveshje me 22 biznese që operojnë në qytetin e Gjirokastrës.
“Bizneset janë të interesuara dhe i marrin praktikantët për t’i zhvilluar kurset nëpër bizneset e tyre. Ata më pas i mbajnë dhe i punësojnë kursantët, sepse e shikojnë që e kanë të nevojshme,” shprehet znj. Lapa.
Janë rreth 40 kurse që ofron qendra e formimit profesional, të cilat ndiqen kryesish nga grupmosha 30–35 vjeç.
Certifikata e marrë pas përfundimit të tyre është e vlefshme edhe në tregun e huaj të punës.
Gazetare: Yllka Ponde
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





