Kërkesa e Begajt ndaj Kushtetueses, Bardhi: Akt i pashembullt, bëhet për llogari të Edi Ramës

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar ndaj kërkesës së presidentit Bajram Begaj drejtuar Gjykatës Kushtetuese mbi rregullimin e përtëritjes së mandatit të gjyqtarëve.
Bardhi e ka konsideruar si akt të pashembullt dhe që bëhet për llogari të Edi Ramës për të kapur Gjykatën Kushtetuese.
“Akti i pashembullt i Bajram Begajt, në emër dhe për llogari të Edi Ramës, për të kapur 100 % Gjykatën Kushtetuese, është jo vetëm i dënueshëm, por edhe i papranueshëm”, thekson Bardhi.
Sipas tij, Kushtetuta e ka të përcaktuar qartë që gjyqtarët kanë një mandat të plotë 9-vjeçar dhe çdo ndërhyrje është cenim i pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese.
“Kushtetuta qartësisht i ka dhënë gjyqtarëve në detyrë një mandat të plotë 9 vjeçar, që nuk mund të cenohet në asnjë rrethanë pas fillimit të detyrës. Cenimi i mandateve nënkupton cenimin e vetë pavarësisë së Gjykatës dhe parimeve themelore të shtetit të së drejtës”, shkruan Bardhi ndërsa shton se “me aktin e sotëm Bajram Begaj nuk ka surprizuar askënd për rolin e tij si ushtar i bindur i Edi Ramës, por guximi i tij për të shkuar deri tek hedhja në erë e Kushtetutës vetëm që Edi Rama ta rrëmbejë Gjykatën Kushtetuese 100 %, është përtej pritshmërisë së shërbimeve edhe nga ushtari me gradën më të ulët. Duke dënuar me forcë aktin e sotëm të Bajram Begajt, apeloj që kjo lojë që rrezikon legjitimitetin e vetë Gjykatës Kushtetuese, të ndalet menjëherë”.
Më herët presidenti Begaj iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë që të sqarojë dhe rregullojë mekanizmin e përtëritjes së mandateve të anëtarëve të saj.
Duke iu referuar mbi mandatin e gjyqtares Holta Zaçaj për të cilën Gjykata Kushtetuese mori vendimin për mbarimin e mandatit të saj, Begaj thekson se ajo u emërua në “detyrën e Gjyqtarit Kushtetues në janar të vitit 2023, me një vonesë prej gati 6 vitesh nga momenti i krijimit të vakancës, shkaktuar nga rrethana të njohura dhe të pavarura prej saj.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




