Siguria në shkolla dhe goditja ndaj krimit të organizuar, Hita kërkon hetime proaktive dhe komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët

Rendi dhe siguria publike, parandalimi i ngjarjeve kriminale, ndjekja në dinamikë e konflikteve, si dhe garantimi i sigurisë në ambientet shkollore kanë qenë në qendër të takimit të zhvilluar ndërmjet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe drejtuesve vendorë të policisë në shkallë vendi.
Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm bëri një vlerësim të punës së deritanishme për parandalimin e ngjarjeve kriminale, por nënvizoi se arritjet aktuale duhet të shërbejnë si bazë për përmirësim të mëtejshëm.
Sipas tij, “rezultatet konkrete në përmirësimin e parametrave të sigurisë, si dhe shërbimi me etikë, humanizëm dhe përkushtim ndaj qytetarëve, janë çelësi i suksesit të Policisë dhe i fitimit të besimit të qytetarëve”.
Për të arritur këto objektiva, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi një angazhim maksimal nga strukturat vendore dhe parashtroi një sërë prioritetesh operative. Ndër to veçohet nevoja për rritjen e cilësisë së informacioneve me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, përmirësimin e imazhit institucional përmes iniciativave konkrete, si dhe vendosjen e një komunikimi të drejtpërdrejtë mes drejtuesve të policisë dhe qytetarëve.
Gjithashtu, u kërkua koordinim më i fortë strukturor, ku nënvizohet “forcimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet DVP-ve, DVKM-ve dhe strukturave të tjera, për reagim në kohë reale”, me fokus të veçantë te përqendrimi i punës për kapjen e personave në kërkim me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Në aspektin hetimor, udhëzimet përfshijnë rritjen e hetimeve proaktive ndaj krimit ekonomik, trafiqeve dhe lëndëve narkotike, si dhe intensifikimin e veprimeve parandaluese e operacionale kundër armëmbajtjes pa leje.
Një vëmendje e veçantë gjatë takimit i u kushtua sigurisë në arsim dhe mbrojtjes sociale. U kërkua angazhimi i drejtpërdrejtë i drejtuesve për “garantimin e sigurisë në shkolla, rritjen e pranisë policore dhe parandalimin e konflikteve ndërmjet nxënësve, në bashkëpunim me stafet arsimore, oficerët e sigurisë dhe prindërit”, si dhe trajtimi me prioritet absolut dhe përgjegjësi i çdo rast të dhunës në familje.
Në përmbyllje të takimit, Drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita përcolli një mesazh të qartë sa i përket performancës institucionale, duke theksuar se “ecuria në detyrë do të varet nga rezultatet konkrete që do të arrijë secili në punën e tij”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.










