Kërkohet përjashtimi i 24 deputetëve të PD, opozita ndërpret mbledhjen te “Etika”. Noka: S’e njohim
Deputetët e Partisë Demokratike kanë vijuar skenarin e bllokimit të mbledhjeve në Kuvend, duke mos lejuar zhvillimin e tyre.
Bllokimi i dyerve për të mos lejuar futjen e deputetëve bëri që të mos mbahet takimi i Sekretariatit të Etikës, ku do të diskutohej përjashtimi i 24 deputetëve të PD pas dhunës dhe kaosit të shkaktuar në seancën plenare të 30 shtatorit.
“Nuk do të njohim asnjë vendim të narko-shtetit”, tha Flamur Noka pas ndërprerjes së mbledhjes.
Deputeti demokrat tha se kjo mazhoranca nuk dëshiron opozitë në Kuvend dhe tenton ta intimidojë atë me vendime të ndryshme. Noka shtoi se opozita do të dalë në mosbindje civile deri në rrëzimin e qeverisë.
“Mazhoranca kërkon me ngul që të mos ketë opozitë në parlament dhe këtë e bëjnë vetëm regjimet e narko-shtetit. Rama e urren opozitën dhe hakmerret. Ata që kanë vjedhur pronën publike, qajnë me lot krokodili djegien e një karrige. Kjo është fytyra e këtij regjimi dhe mendojnë se me kërcënime të tilla mund të intimidojnë opozitën. Kurrë nuk mund të ndodh kjo gjë. Opozitën do e kenë përballë në mosbindje civile. Nuk njohim asnjë vendim të narko-shtetit”, tha Noka.
Një ditë më parë PS kërkoi përjashtimin e 24 deputetëve të PD, pas dhunës dhe kaosit të shkaktuar në seancën plenare, konkretisht të Gazmend Bardhit, Flamur Nokës, Bledion Nallbatit, Edi Palokës, Saimir Korreshit, Lefter Geshtenjës, Luan Baçit, Dashnor Sulës, Agron Gjekmarkajt, Dhurata Çupit, Xhelal Mziut, Ina Zhupës, Zheni Gjergjit, Helidon Bushatit, Lindita Metaliajt, Ramadan Likës, Asllan Dogjanit, Qani Xhafës, Flamur Hoxhës, Isuf Çelës, Kastriot Piroliy, Lodovik Hasanit, Kasem Mahmutajt dhe Edmond Spahos.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




