Projektligji për Buxhetin 2027, Komisioni për Shëndetësinë dëgjon drejtuesit e QSUT, FSDKSH dhe Urgjencës Mjekësore

Shëndet | 6 minuta më parë

Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, nën drejtimin e zëvendëskryetarit Eduart Shalsi, zhvilloi një seancë dëgjimore me drejtuesit e institucioneve kryesore publike të sektorit shëndetësor, në kuadër të shqyrtimit të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2027”. Në diskutim morën pjesë përfaqësues nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM) dhe Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, si dhe zëvendësministret e Shëndetësisë, Anila Rexha dhe Ina Majko.

E pranishme në seancë, Drejtoresha e QSUT-së, Rudina Degjoni, paraqiti treguesit financiarë dhe prioritetet e qendrës spitalore për vitin e ardhshëm. Pasi bëri me dije se buxheti i ndryshuar i vitit 2026 arriti në 13.9 miliardë lekë — ku “gjatë 9-mujorit janë realizuar 9.2 miliardë lekë shpenzime” —Degjoni detajoi planifikimin e ri. Për vitin 2027, buxheti i QSUT-së parashikohet të arrijë në 16.3 miliardë lekë, nga të cilat “shpenzimet korrente janë 11 miliardë dhe investimet kapitale 396 milionë lekë”, ndërsa zëri për paga dhe sigurime zë një peshë prej 4.8 miliardë lekësh.

Sa i përket financimit të përgjithshëm të kujdesit shëndetësor, Drejtoresha e Përgjithshme e FSDKSH-së, Suela Popa, u fokusua te struktura dhe burimet e financimit. Gjatë raportimit të saj, Popa bëri me dije se “projektbuxheti i fondit të kujdesit për vitin 2027 propozohet në shumën 70 miliardë e 802 milionë lekë, me një rritje prej 2.4% krahasuar me vitin 2026”.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i QKUM-së, Skënder Brataj, pasi analizoi aktivitetin operacional, numrin e thirrjeve emergjente dhe vizitat në banesë, nënvizoi nevojën e modernizimit të flotës detyruese. Brataj u ndal te investimet kapitale për përmirësimin e shërbimit në terren, ku përmendi “blerjen e 131 ambulancave të reja dhe 1 helikopteri” si pjesë e mbulimit logjistik të emergjencave.

Seanca dëgjimore vijoi me pyetje dhe diskutime nga anëtarët e komisionit, të cilët kërkuan sqarime plotësuese mbi eficiencën e shpenzimeve dhe realizimin e prioriteteve të shëndetësisë për vitin 2027.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme