Procesi i Berlinit, Ursula von der Leyen: Kush do financime nga BE, të bëjë më parë reformat

Politikë | 3 vite më parë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen (o. Ursula von der Leyen) duke folur në fillim të takimit të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë theksoi se Ballkani Perëndimor duhet të realizojë reformat e duhura që BE të rrisë investimet.

Sipas von  der Leyenit, Bashkimi Evropian ka një plan ekonomik që synon të hapë tregun e përbashkët evropian për kompanitë e Ballkanit Perëndimor.

“Është një samit shumë i veçantë që kemi sot. Është i dhjeti i Procesit të Berlinit, por për herë të parë zhvillohet në Ballkanin Perëndimor që përcjell një mesazh të fuqishëm se sa të përkushtuar jemi ndaj zgjerimit”, u shpreh von der Leyen.

Ajo vuri në dukje se kush ka vullnetin e duhur për të bërë reformat do të fitojë edhe investimet e Bashkimit Evropian.

“Një nga temat kryesore do të jetë ekonomia e Ballkanit Perëndimor. Ne mund të bëjmë më mirë. Për këtë arsye kemi prezantuar Planin e Rritjes. Duam që t’u japim qasje në tregun e përbashkët evropian. Pra, qasje të kompanive të Ballkanit Perëndimor në tregun e Bashkimit Evropian. Por për këtë na duhen reforma në Ballkanin Perëndimor dhe ata që kanë vullnetin të reformohen, ata që janë të vullnetshëm që të realizojnë tregun e përbashkët rajonal do të marrin financim nga Bashkimi Evropian, pra është një stimul nga ata që vërtet duan të ecin përpara dhe duan të përmirësojnë ekonominë, dyert tona janë të hapura. Le të punojmë sot për këtë plan rritje”, theksoi presidentja e KE-së.

Presidentja e KE-së, fon der Lajen: Duhen reforma, mos e lini t’ju shpëtojë ky moment

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula fon der Lajen, bëri thirrje të hënën që vendet aspiruese të Ballkanit Perëndimor të shohin forcimin e raporteve fqinjësore, pasi perspektiva evropiane do të jetë e garantuar nëse rajoni ndjehet më i bashkuar.

“Synimi është për të ecur përpara për bashkëpunim rajonal ekonomik. ne tashmë kemi hedhur themele të forta me planin tonë të investimeve prej 30 miliardë euro. Rezultatet po duken. 16 miliardë euro janë përcaktuar dhe përdorur tashmë. Ekonomitë tona në Ballkanin Perëndimor (BP) dhe në tregun e BE-së janë shumë larg njëra-tjetrës. Ekonomitë e BP-së janë në shifrën 35% të mesatares së BE-së. Këtë synon të arrijë Plani i Rritjes. Ne e dimë edhe nga përvoja e zgjerimit, fuqia që ka ai. Por elementi i dytë i rëndësishëm ka të bëjë me zhvillimin ekonomik. Sepse sa herë kemi pasur zgjerim, jo vetëm vendet anëtare kanë pasur një rritje të madhe, por edhe tregu i BE-së u rrit sepse u zgjerua më shumë. Këto i kemi edhe në Planin e Rritjes.

Ne duam që në fusha specifike të hapim dyert e tregut të vetëm evropian, për kompanitë e BP-së, si p.sh. lëvizja e lirë e mallrave dhe shërbimeve, transporti rrugor, energjia, tregu digjital i BE-së, por mbi të gjitha pagesat pa para në dorë. Sigurisht hapja e dyerve nuk mjafton. Vendet e BP-së duhet gjithashtu të plotësojnë tregun e tyre rajonal, pra t’u ofrojnë qasje fqinjëve në tregun e tyre. Në rast se ka bllokime, bllokon vetëm veten se të tjerët do të ecin përpara dhe për të ecur përpara kërkohen reforma të thella për ta bërë klimën e biznesit edhe më tërheqës. Këto reforma do të shoqërohen me investime nga BE-ja në rast se kryhen. Plani i Rritjes është stimul për të hapur dyert në aspektin ekonomik, por për të kërkuar hapjen e mëtejshme të kufijve të vendeve brenda BP-së. Vetëm duke punuar së bashku do të bëjmë të mundur që BP-ja të vijë aty ku i takon: ‘në zemër të BE-së’.

Mesazhi im është ky: këto janë momente kyç, deçizive, vendimmarrëse. Mos i lini mundësitë t’ju shpëtojnë, por kapeni momentin,,” tha presidentja fon der Lajen.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme