Kaos global në Microsoft, miliona përdorues pa Teams, Outlook dhe Copilot, ndërprerja prek 74 vende

Botë | 1 minutë më parë

Një ndërprerje e gjerë globale ka goditur shërbimet e Microsoft, duke shkaktuar probleme të konsiderueshme në funksionimin e platformave të njohura si Teams, Outlook dhe Copilot. Sipas raportimeve, ndërprerja ka prekur përdorues në 74 vende të botës dhe ka zgjatur për më shumë se 11 orë. Microsoft ka bërë të ditur se problemi lidhet me një ngarkesë të shtuar në infrastrukturën e saj në disa rajone, ndërsa përpjekjet për rikthimin e shërbimeve nuk kanë ecur sipas pritshmërive. Kompania ka përjashtuar mundësinë që ndërprerja të jetë shkaktuar nga një sulm kibernetik apo aktivitet keqdashës. “Na vjen keq që ndërprerjet e sotme kanë shkaktuar probleme për klientët tanë. Po punojmë për ta zgjidhur këtë çështje“, deklaroi ekzekutivi i Microsoft, Charles Lamanna, përmes një postimi në platformën X.

Fillimisht, Microsoft njoftoi se ndërhyrjet teknike po jepnin rezultate pozitive, por më vonë pranoi se rikthimi i shërbimeve nuk po shkonte siç ishte planifikuar.

Pasojat e ndërprerjes nuk janë kufizuar vetëm te përdoruesit e Microsoft. Edhe gjigantët e inteligjencës artificiale OpenAI dhe Anthropic kanë raportuar probleme të lidhura me këtë situatë. Duke qenë se më shumë se 430 milionë njerëz përdorin aplikacionet Microsoft 365, ndërprerja ka shkaktuar vështirësi për kompani, institucione dhe shërbime publike në vende të ndryshme. Ekspertët e teknologjisë kanë ngritur pikëpyetje mbi shkallën e problemit. Një ekspert i cituar nga BBC e ka cilësuar situatën si “paaftësi të jashtëzakonshme”, nëse konfirmohet se nuk kemi të bëjmë me një sulm kibernetik.

Ndërkohë, bankat dhe universitetet kanë paralajmëruar përdoruesit për rrezikun e mashtrimeve që mund të shfrytëzojnë këtë situatë. Institucione të ndryshme u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe punonjësve të tregojnë kujdes ndaj emaileve dhe mesazheve të dyshimta që ofrojnë mbështetje teknike. ING Australia ka këshilluar klientët të mos klikojnë në lidhje të panjohura dhe të mos shkarkojnë aplikacione të sugjeruara përmes mesazheve të papritura. Edhe Universiteti Old Dominion në SHBA ka paralajmëruar studentët për sulme phishing, ndërsa autoritetet në Zelandën e Re kanë kërkuar që bizneset të mos ndajnë informacione konfidenciale përmes kanaleve të paautorizuara.

Eksperti i sigurisë kibernetike Troy Hunt paralajmëron se ndërprerja prek shumë më tepër sesa përdoruesit e drejtpërdrejtë të Microsoft. Sipas tij, varësia e madhe e internetit dhe e bizneseve nga shërbimet e kompanisë tregon se sa të rëndësishme janë platformat e komunikimit, veçanërisht emaili. Problemet mund të pengojnë jo vetëm punën e përditshme, por edhe komunikimin për takime, blerjet që kërkojnë verifikim elektronik, krijimin e llogarive dhe aksesin në shërbime të ndryshme. Hunt thekson gjithashtu rëndësinë e planeve rezervë dhe të sistemeve alternative, në mënyrë që kompanitë dhe institucionet të jenë të përgatitura për ndërprerje të ngjashme në të ardhmen.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme