Kolla e mirë, pediatrja: Raste sporadike, fëmijët e vaksinuar janë të mbrojtur deri në 5 vjeç

Në Shqipëri janë regjistruar 28 raste të fëmijëve të prekur nga “kolla e mirë”, infeksion që prek rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Mes rasteve të infektuara 8 prej fëmijëve janë të shtruar në Spitalin Infektiv dhe Shërbimin e Pneumologjisë në Pediatri.
Për pediatren Zerina Sheme këto raste janë sporadike dhe se kjo sëmundje ka një cikël përsëritje 3-4 vite. Në një intervistë në ‘Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH, pediatrja tha se fëmijët janë të mbrojtur deri në 5 vjeç nëse vaksinohen dhe më pas mbrojta ulet, por shenjat e kollës së mirë janë më të lehta.
Rreziku, sipas pediatres, ndodh te fëmijët që nuk kryejnë vaksina në mënyrë të rregullt ku kolla e mirë mbivendoset me fruthin dhe rubeolën.
“Kolla e mirë është një infeksion bakterial disi i rrezikshëm, para kohës kur nuk bëhej vaksina, tani që njerëzit janë të vaksinuar fëmijët janë të mbrojtur sipas OBSH çdo vit ka shpërthime të vogla të kollës së mirë, edhe në Shqipëri një herë në 3-4 vite ka shpërthime endemike, por jo në fazën e pandemisë. Në Shqipëri kemi raste sporadike në zona të caktuara. Fëmijët janë të mbrojtur nga vaksina deri në moshën 5 vjeç dhe pas kësaj moshe mbrojtja bie deri në 50 % dhe kjo kollë e mirë mund të kalohet me shenja më të lehta. Kujdesi që duhet të tregojnë nënat është vaksinimi dhe duhet bërë në mënyrë korrekte sipas moshave. Nëse ka pastaj mbivendosje të fruthit, rubeolës dhe kollës së mirë agravohet situata”, tha pediatrja Sheme.
“Kolla e mirë”, kjo sëmundje ngjitëse kalon në 3 stade dhe secila ka simptomat e saj. Pediatrja Sheme shpjegoi fazat nëpër të cilat kalon fëmija dhe se si nënat mund ta identifikojnë “kollën e mirë”.
“Është një sëmundje ngjitëse dhe është serioze nëse nuk trajtohet në kohën e duhur. Stadi i parë i kollës së mirë fillon me një rrufë të zakonshme, me një temperaturë të lehtë dhe skuqje fyti dhe kollë të thatë. Në stadin e dytë kolla bëhet më e ashpër dhe mungesë të frymëmarrjes ku fëmijës shpesh i mavijosen buzët dhe duart nga kriza. Jashtë krizës kolla qetësohet. Stadi i tretë është përmirësimi. Secila nga stadet zgjat një javë.
Në stadin e parë mund të kalojë e heshtur dhe nënë nuk e di që po kalohet një kollë e mirë. Nëse zgjat më shumë se një javë atëherë duhet marrë parasysh kjo gjë. Rëndësia e sensibilizimit është për fëmijët nën një vjeç pasi nëse janë të pambrojtur në fazën e dytë të krizës mund të jap komplikacione të rënda me pneumoni dhe probleme me trurin, prandaj i kushtojmë rëndësi kësaj sëmundje për të bërë vaksinimin.
Ka një pezmatim në laring dhe është i rrugëve të sipërme të mushkërive dhe nuk prek thellë mushkëritë, nëse kolla e mire zgjatë duhet ekzaminuar pasi mund të ketë mbivendosje të infeksioneve sekondare në mushkëri dhe trajtohet me antibiotikë”, tha pediatrja.
“Kolla e mirë” shkaktohet nga infeksioni Pertus ku të vegjlit manifestojnë kollë të zgjatur në kohë nga 2 deri në 5 javë, gëlltitje të sforcuar që u pengon frymëmarrjen deri në mbytje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




