Meçe: Protesta humbi karakterin fillestar, qytetarët e kuptuan se u manipulua nga interesa antikombëtare

Analisti Arben Meçe ka komentuar protestën dhe zhvillimet e saj, duke argumentuar se ajo humbi karakterin fillestar qytetar për shkak të ndërhyrjes së aktorëve politikë dhe interesave antikombëtare ku, sipas tij, nuk përputheshin me shqetësimet e qytetarëve.
“Cilat ishin aktorët që e kthyen protestën në një protestë politike? Ishin katër parti të vogla, të cilat në krah të tyre, në hije, kishin Partinë Demokratike. Partitë e vogla kanë vetëm një synim, pasi me këtë sistem elektoral nuk arrijnë të futen në Kuvend. Teza e tyre politike, në vetvete, godiste sistemin me qëllim që të çonte drejt ndryshimit të tij dhe reformës elektorale. Kur këto qëndrime u bënë publike, qytetarët u larguan dhe protesta humbi konotacionin e saj fillestar, duke u kthyer në një protestë thjesht politike. Flamingot përfunduan me vetëm 200 veta”, tha Meçe në emisionin “3D nga Alban Dudushi”.
Ai u ndal te lëvizja studentore, duke theksuar se organizimi nisi në Fakultetin e Mjekësisë dhe drejt Ministrisë së Arsimit, por dhuna në ditët në vijim, veçanërisht dëmtimi i bizneseve private dhe sulmet ndaj sistemit bankar, ndikuan në distancimin e qytetarëve.
Meçe argumentoi se këto zhvillime bën që qytetarët ta shihnin protestën si një lëvizje destabilizuese dhe të orientuar nga interesa antikombëtare.
“Më pas u krijua lëvizja studentore, organizimi i së cilës nisi fillimisht në Fakultetin e Mjekësisë dhe u drejtuan drejt Ministrisë së Arsimit, ku dolën në pah dy linja politike: njëra ishte lëvizja e partive të vogla me sloganin “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa tjetra ishte lëvizja e Partisë Demokratike. Të dyja bashkoheshin në një pikë të vetme, që ishte rrëzimi i Ramës. Formati që zgjodhën për rrëzimin e Ramës ishte shkatërrimi i Tiranës. Nga ky moment u shënua një rast i paprecedentë, me goditje ndaj bizneseve private dhe sulme ndaj sistemit bankar. Kjo solli edhe ndryshimin e qëndrimit të qytetarëve, pasi ata panë se protesta, në vetvete, ishte kthyer në një frymë destabilizuese dhe se po manipulohej nga qëndrime antikombëtare. Kjo situatë u lexua nga qytetarët shqiptarë, të cilët kuptuan se nuk duhet të bëhen vegël e interesave antikombëtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




