Panairi i punës në Kukës, Muzhaqi: 3000 aplikime në Programin e Kodimit!

Sociale | 3 vite më parë

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi në bashkëpunim me projektin britanik “Perspektiva të Reja” realizuan në Qarkun e Kukësit panairin e parë për edukim, arsim dhe punësim për të rinjtë.

Në panair morën pjesë 27 institucione, biznese e organizata.

Ministrja Muzhaqi tha se panaire të tilla rrisin aftësimin dhe punësimin e të rinjve në sektorë të ndryshëm. 

Ministrja u rikujtoi të rinjve nismën më të re të Ministrisë së Arsimit. “Të rinjtë që zgjedhin të vazhdojnë studimet në degët prioritare do të mbështeten financiarisht nga qeveria me pagë minimale mujore për të ndjekur studimet, një risi shumë e madhe për të rinjtë shqiptarë” vijoi ministrja përgjegjëse për rininë duke u sugjeruar të rinjve të zgjedhin degët prioritare pasi janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit.

Zonja Muzhaqi u sugjeroi të rinjve kuksianë të bëhen pjesë e Programin të Kodimit me mbështetje financiare nga qeveria në portalin e-Albania.

“Programi i Kodimit ka filluar me 23 janar të këtij viti dhe aktualisht numërojmë mbi 3000 aplikime dhe mbi 500 të rinj që kanë filluar kurset e para. Kënaqësi që edhe të rinj nga Kukësi janë bërë pjesë e Programit të Kodimit dhe ne do të vazhdojmë t’i ofrojmë këto kurse, prandaj kemi sot edhe akademitë e kodimit që na janë bashkuar për t’i informuar më shumë të rinjtë rreth financimit që qeveria ofron. Për studentët dhe të punësuarit mbështetja është 50%, ndërsa për të papunësuarit 100%” tha Muzhaqi për kurset e kodimit që ndihmojnë të rinjtë të futen në botën e teknologjisë, ku edhe pagat janë më të larta.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme