Cilësia në arsimin e lartë – Deri me 23 maj, studentët japin mendimet e tyre në një sondazh kombëtar
Ka nisur edhe në Universitetin “Fan Stiljan Noli” të Korçës procesi i plotësimit të Sondazhit Kombëtar të Studentëve 2025, i cili do të jetë aktiv deri më 23 maj.
Studentëve u është shpërndarë formulari online dhe aktualisht po vijon një fushatë ndërgjegjësimi për rritjen e pjesëmarrjes së tyre.
Koordinatori institucional për këtë proces, Artur Prifti, thekson se janë organizuar disa takime informuese me studentët, për të theksuar rëndësinë e sondazhit si një mjet që u jep zë dhe ndikim real në përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë.
“Aktualisht jemi në fazën që sondazhi kombëtar studentor është shpërndarë nga agjencia e sigurimit të cilësisë të arsimit të lartë dhe jemi në fazën ku studentët janë duke e plotësuar. Shpërndarja ka nisur nga data 21 prill deri në 23 maj, studentët në adresat e tyre te email mund të gjejnë lekët për ta plotësuar”, tha Koordinatori Institucional, Artur Prifti.
Sipas Priftit, megjithëse nuk ka ende të dhëna të sakta mbi nivelin e plotësimit të sondazhit në universitetin e Korçës, reagimi i parë i studentëve ka qenë pozitiv dhe ka interes për të kontribuar.
“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me agjencinë, ata do të na njoftojnë për përqindjen e pyetësorëve të plotësuar dhe më pas do të merren masa”, u shpreh Prifti.
Sondazhi Kombëtar i Studentëve, tashmë në edicionin e tretë, është një ndër nismat më të rëndësishme të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe synon të mbledhë opinionin e studentëve për përvojën e tyre akademike.
Rezultatet e mëparshme kanë ndihmuar në identifikimin e problematikave dhe orientimin e politikave të brendshme të institucioneve arsimore.
Gazetare Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





