Juristët e së ardhmes, studentët e drejtësisë në Elbasan praktikojnë në gjykatë

Aktualitet | 1 vit më parë

Në kuadër të Javës së Drejtësisë, që kulmon me datën 10 maj, Ditën kombëtare të Drejtësisë në kujtesë të “Kanunit të Zhurisë”, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan u zhvillua një seancë gjyqësore e improvizuar me studentë të Fakultetit të Biznesit dhe Drejtësisë.

Studentët zhvilluan seancën gjyqësore me të gjithë komponentët e saj, si trupi gjykues, pala e paditur, palët paditëse, eksperti, mbrojtja e të tjerë.

“Na është ofruar një mundësi për të qenë jo vetëm teorikisht afër së drejtës, por edhe praktikisht në një institucion kaq të rëndësishëm si gjykata.“

“Ishte një eksperiencë mjaft e bukur, përzierje e emocioneve, vetëbesimit që duhet të kesh… të kuptosh më mirë peshën që ka një gjyqtar.“

Gjyqtarët vlerësojnë se praktikat janë të rëndësishme për t’i mësuar studentët në kontrollin e emocioneve gjatë një seance gjyqësore, si dhe nxisin punësimin e tyre pranë institucioneve të drejtësisë.

“Praktika është pjesë e rëndësishme e punës së tyre në të ardhmen, pasi do të diplomohen dhe do të ushtrojnë profesionin e avokatit. Ata që do të kenë më shumë fat mund të bëhen edhe gjyqtarë apo prokurorë, pra magjistratë. Po kështu i ndihmon për të aftësuar njohuritë e tyre dhe për të përmirësuar aftësitë e tyre shprehëse në punë në të ardhmen,” tha Ardit Kuka, gjyqtar pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Praktikat realizohen falë marrëveshjes së lidhur me Gjykatën e Elbasanit dhe Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Ky ishte viti i parë që Gjykata mirëpriti studentët e Departamentit të Drejtësisë, një degë e re që ka nxitur interes të lartë.

Gazetar: Enes Molla

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme