70% e studentëve të Masterit të punësuar, Fakulteti Ekonomik ndërlidh studimet me tregun e punës

Gjetja e një vendi pune pas përfundimit të studimeve është një ndër sfidat që hasin të rinjtë më së shumti në ditët e sotme.
Zëvendësdekania e Fakultetit Ekonomik, Fatma Jaupi, sqaron se roli kryesor e luan Fakulteti në orientimin e të rinjve drejt tregut të punës.
“Ajo se çfarë ne përpiqemi në Fakultetin e Ekonomisë, sfida jonë, është gjetja e punës së duhur, pra, ajo që kanë studiuar, fusha e tyre e formimit, të jetë në linjë me karrierën e tyre. Për këtë arsye gjithë strategjia jonë është për t’u lidhur me sipërmarrjen dhe me gjithë politikëbërësit,” shprehet znj. Jaupi.
Në Fakultetin Ekonomik, 70% e studentëve që ndjekin vitin e fundit të Masterit rezultojnë të punësuar.
“Vendin e punës e kam gjetur që në momentin që mbarova Bachelor-in. Bëra praktikën si fillim dhe pastaj fillova punën direkt te ajo kompani,” tregon një student.
“Falë edhe Panairit të Punës, që është realizuar pranë Fakultetit tonë, kam arritur që të gjej vende punë pranë bankave, por për shkak që kam me Masterin, mendoj se nuk do të më përputhet orari i shkollës me oraret e punës,” thotë një studente.
Por cilat janë ndryshimet që mund të aplikohen për të përmirësuar lidhjen e studentit me tregun e punës?
“Një nga përpjekjet tona të përhershme është përmirësimi i kurrikulës tonë. Një sfidë tjetër është që të jemi në të njëjtën linjë me sipërmarrjet dhe me biznesin, pra, që studentët tanë të kenë mundësi tranzicioni sa më të lehtë të tregut të punës, të kenë njohuri për t’u përshtatur sa më mirë,” shprehet zv.dekania e Fakultetit Ekonomik.
Ballafaqimi i studentëve me tregun e punës është një ndër praktikat më të mira të universiteteve, pasi u jep mundësi atyre të përshtatin kurrikulën me nevojat e tregut, duke përgatitur të rinj të aftë për punë.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





