Akreditimi i universiteteve – Institucionet e arsimit të lartë mbyllin procesin, kërkohet rritja e cilësisë
Institucionet e arsimit të lartë në vend kanë përfunduar procesin e akreditimit institucional, ndërsa 100 programe studimi janë në proces vlerësimi për cilësinë e tyre.
Listën e kryesojnë 5 universitete, të cilat kanë marrë vlerësimin maksimal me 6 vite akreditim. Megjithatë, ekspertët kanë kërkuar rritje të cilësisë së kërkimit shkencor dhe më shumë publikime në revista cilësore.
“Aktualisht ne kemi të akredituara rreth 670–680 programe studimi në rang kombëtar, pra, publike dhe jopublike. Universitetet publike po ecin me ritme goxha të shpejta për të akredituar të gjitha programet e studimit që ato ofrojnë,” thotë Xhiliola Bixheku, drejtoreshë e Agjencisë së Akreditimit.
Pjesa tjetër e institucioneve të arsimit të lartë janë akredituar me një vlerësim më të ulët, përkatësisht me 5 dhe 4 vite. Për këto institucione janë lënë rekomandime nga ekspertë të huaj dhe vendas.
“Bordi i Akreditimit lë rekomandime, të cilat duhet të plotësohen nga universiteti. Në bazë të rekomandimeve të lëna, universiteti paraqet një plan veprimi, i cili mund të jetë 6 muaj ose një vit, dhe shkallën si janë apo duhen plotësuar rekomandimet, ose si duhen adresuar për t’u përmirësuar në të ardhmen,” tregon znj. Bixheku.
Kërkesa për akreditimin institucional të universiteteve, si dhe të programeve të studimit, është rritur. Te institucionet e arsimit të lartë privat vihet re se ky proces po ecën me hapa të shpejtë.
“Universitetet private janë të akredituara, po ashtu edhe programet e tyre të studimit, si dhe diplomat janë atraktive për studentët,” thotë drejtoresha e Agjencisë së Akreditimit.
Procesit të akreditimit institucional dhe të programeve të studimit i nënshtrohen periodikisht të gjitha universitetet. Deri tani, vendi ynë ka akredituar 40 institucione të arsimit të lartë, publike dhe private.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





