Qeveria çel Skemën e Investimeve 2025, grante 50% dhe kredi të buta për bujqësinë

Bujqësi | 1 vit më parë

Qeveria shqiptare ka hapur Skemën Kombëtare të Investimeve 2025, një iniciativë e rëndësishme e cila synon të mbështesë fermerët, agropërpunuesit dhe sipërmarrësit e agroturizmit.

Aplikimet për këtë program do të jenë të hapura deri më 30 shtator 2025. Skema ofron grante deri në 50% të vlerës së investimeve, si dhe kredi të buta me normë interesi prej vetëm 2%.

Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi, bënë thirrje të hënën nga Lushnja që fermerët të shfrytëzojnë këtë mundësi për të modernizuar prodhimin dhe për të rritur konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare.

Nëntë masa mbështetjeje dhe 20 milionë euro për agropërpunimin

Ministrja Denaj theksoi se programi përfshin 9 masa mbështetjeje, që mbulojnë investimet në bujqësi, agropërpunim dhe agroturizëm.

“Fermerët mund të aplikojnë për grante deri në 50% për ndërtimin e serave, mekanizmat bujqësore, sistemet e mbrojtjes dhe agropërpunimin,” shpjegoi ajo.

Një fokus i veçantë i këtij viti është agropërpunimi, për të cilin janë alokuar 20 milionë euro. Po ashtu, një tjetër prioritet është agroturizmi, i cili, sipas ministres, ndihmon në ruajtjen e traditave dhe promovimin e produkteve autentike shqiptare.

Kredi të buta me garanci shtetërore

Përveç granteve, skema ofron kredi të buta me normë interesi 2%, ku shteti mbulon deri në 70% të kolateralit. Kjo lehtëson barrën financiare për fermerët dhe i ndihmon ata të modernizojnë prodhimin dhe të rrisin efikasitetin.

Ministri Malaj theksoi se qeveria ka vënë në dispozicion 20 milionë euro për Skemën Kombëtare të Investimeve 2025, 45 milionë euro për subvencione, dhe 250 milionë euro për kredi të buta, të cilat, së bashku me Garancinë Sovrane, ofrojnë mundësi të rëndësishme për zhvillimin e sektorit.

Drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi, bëri me dije se procesi i aplikimit është thjeshtuar dhe fermerët mund të marrin ndihmë në 20 Agropika të vendit, ndërsa aplikimet përfundimtare bëhen në zyrat e AZHBR-së.

Me këtë skemë, çdo aplikant mund të përfitojë nga më shumë se një masë mbështetjeje, duke kombinuar investimet pa kufizime monetare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme