Shkodër – Prodhimtari e lartë të kultivimit të misrit dhe duhanit, më pak bimët mjekësore

Bujqësi | 1 vit më parë

Në qarkun e Shkodrës, misri dhe duhani janë për këtë vit kulturat bujqësore më të kultivuara, duke zënë sipërfaqet më të mëdha të tokës bujqësore. Specialistët e bujqësisë theksojnë se kërkesa e tregut, kushtet klimatike të favorshme dhe tradita e gjatë e kultivimit kanë ndikuar në interesin e fermerëve për t’u përqendruar në këto kultura.

“Ka pasur interes të shtuar në kultivimin e duhanit se ka treg, në kultivimin e misrit pjesa e Nënshkodrës që e kultivon prej disa vitesh tashmë”, u shpreh specialisti i AREB Shkodër, Sherif Brahaj.

Në zonën e Nënshkodrës, investimet në infrastrukturën e vaditjes, të realizuara apo ende në proces, po japin rezultate të dukshme, duke nxitur zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e rendimentit.

“Impakti është i madh pasi kjo është një zonë intensive e kultivimit bujqësor, ku është hambari i misrit. Bashkia Shkodër në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë po bën rehabilitimin e të gjithë sistemit ujitës”, tha specialisti i bujqësisë, Xhavit Pllumi.

Por ndërsa disa kultura po përjetojnë një sezon të suksesshëm, situata nuk është e njëjtë për bimët medicinale, që kultivohen kryesisht në zonën e Malësisë së Madhe. Interesi për kultivimin e tyre është në rënie, për shkak të mungesës së tregjeve të sigurta për shitje.

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme