Uji për bagëtitë – Ndërtimi i rezervuarëve, investim i domosdoshëm për blegtorinë

Bujqësi | 1 vit më parë

Një nga problemet kryesore me të cilat përballet blegtoria gjatë sezonit të verës është mungesa e burimeve të ujit të pijshëm për bagëtinë. Për të përballuar këtë situatë, Drejtoria e Pyjeve, Kullotave, Ujitjes dhe Kullimit ka ndërmarrë masa konkrete për të ndihmuar blegtorët.

Sipas drejtorit të kësaj drejtorie, Iljaz Memushi, deri më tani është bërë e mundur ndërtimi i 8 lerave të ujit në zona të ndryshme kullotash, për të garantuar furnizimin me ujë të bagëtive gjatë muajve të thatë të verës.

“Bashkia Gjirokastër ka marrë përsipër vetëm për këtë sezon bërjen e 8 lerave, që janë në Lunxhëri dhe Malin e Gjerë”, u shpreh Memushi.

Nevojat janë shumë më të mëdha për ndërtimin e rezervuarëve të ujit për bagëtinë. Thatësira dhe mungesa e burimeve natyrore e bëjnë të domosdoshëm zgjerimin e këtij investimi në zona të tjera.

“Gjithë blegtorët janë pajisur me kullota. Problemi kryesor është uji i pijshëm për bagëtitë. Po ndërhyhet në 8 të tillë. Problematikë ka qenë se reshje nuk ka dhe jemi detyruar të ndërtojmë në çdo vend lera të posaçme”, u shpreh ai.

Për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e këtyre lerave , janë akorduar mbi 5 milion lekë të reja.

Gazetare: Leonida Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme