Liceu Artistik në Gjirokastër, 17 të rinj i bashkohen për herë të parë

Arsim | 1 vit më parë

Disa të rinj, kanë preferuar Liceun Artistik “Feim Ibrahimi” në Gjirokastër për të vijuar studimet e mesme, ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre që u janë drejtuar gjimnazeve.

Këta të rinj pas përfundimeve të studimeve 9-vjeçare kanë bërë këtë zgjedhje shtyrë nga pasioni dhe talenti që kanë për muzikën dhe pikturën.

“Është ëndrra ime, dua ta vazhdoj. Kam vazhduar që e vogël të pikturoj. Kam shumë talent dhe të gjithë mi pëlqejnë pikturat. Kam zgjedhur këtë shkollë për tu bërë dikush në jetë”, shprehet nxënësja.

“Vij nga Saranda. Kam zgjedhur shkollën për të studiuar degë muzikore Fizarmonikë. Kryesisht pasi babai është organist edhe kam marrë pak njohuri nëpër kurse dhe vetë nga ai dhe ndaj e zgjodha këtë degë”, shprehet nxënësi.

Këtë vit të ri shkollor liceu artistik “Feim Ibrahimi” ka pritur 17 nxënës në klasat e 10-a në specialitete të ndryshme në muzikë dhe arte figurative.

“Edhe për vitin 2025-2026 si në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar, shkolla jone ka çelur dyert për të mirëpritur nxënësit e saj. Kemi 17 nxënës të regjistruar në klasën e 10-të të cilët kanë përzgjedhur degët e artit figurativ, por edhe ato të instrumenteve muzikore të cilat do të zhvillohen krahas kurrikulës, në lëndët e përgjithshme”, tha drejtoresha Elona Kore.

Liceu artistik këtë vit mësimor në ciklin e mesëm do të frekuentohet nga 45 të rinj. Pjesë e tij janë edhe  nxënës që ndjekin drejtimin artistik në shkollën 9-vjeçare “Urani Rumbo”.

Me një histori 50 vjeçare në përgatitjen e artistëve të rinj liceu artistik në Gjirokastër pret nxënës nga gjithë rajoni jugor.

Gazetare: Yllka Ponde

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme