Skema e Investimeve në Bujqësi – Mbyllet faza e aplikimeve, interes i lartë në Gjirokastër

Bujqësi | 1 vit më parë

Data 30 shtator ishte afati i fundit për aplikimin në skemat kombëtare të investimeve në bujqësi. Në qarkun e Gjirokastrës ka pasur interes të lartë nga ana e fermerëve për të aplikuar në disa prej tyre, kryesisht në mjetet e mekanizuara në bujqësi, si dhe në vaditjen me pika.

Specialistët e fushës thonë se interesi ka qenë i lartë dhe procedurat kanë kaluar me efikasitet.

“Krahasimisht me vitin e kaluar interesi ka qenë shumë i lartë. Në zyrat tona kanë ardhur rreth 60 fermerë për të marrë asistencë teknike. Shpresojmë që gjysma e tyre të kenë dorëzuar dosjet deri dje në AZHBR. Nga 9 masat, 4 masa kanë qenë kanë pasur fluksin më të madh“, deklaroi specialisti i bujqësisë, Balil Bineri.

Kjo është hera e dytë që qeveria mbështet fermerët me fonde publike përmes kësaj skeme, duke synuar jo vetëm rritjen e prodhimit vendas, por edhe përmirësimin e cilësisë dhe nxitjen e eksporteve bujqësore.

“Tema e investimeve me fondet e qeverisë shqiptare ka qenë viti i dytë që është aplikuar. Një pjesë e aplikantëve ka marrë rimbursimin, ndërsa një pjesë ka pasur mangësi në dokumentacion apo zbatim indirekt në terren dhe janë ende në këto procedura”, shtoi Bineri.

Në pritje të shpalljes së përfituesve, fermerët shpresojnë që këto fonde do të ndikojnë realisht në rritjen e prodhimit dhe lehtësimin e kostove, në një kohë kur sfidat në bujqësi janë gjithnjë e më të mëdha.

Gazetare: Leonida Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme