Ministri Salla inspekton punimet në lumin Kalasa: Investim jetik që mbron 850 ha tokë bujqësore në Finiq

Bujqësi | 11 muaj më parë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me deputetin Ardit Bido, inspektuan punimet mbrojtëse përgjatë lumit Kalasa në bashkinë Finiq, një prej lumenjve më problematikë në vend për shkak të prurjeve të larta dhe rrezikut të shpeshtë të përmbytjeve.

Vizita u zhvillua në Delvinë, pranë urës së Vanës, ku po kryhen punime rehabilituese që synojnë të mbrojnë argjinaturën, të shmangin përmbytjet në fushën e Finiqit prej 850 hektarësh dhe të rrisin sigurinë për komunitetin lokal.

Gjatë inspektimit, ministri u informua nga inxhinierët dhe autoritetet vendore se dy kaskadat kryesore mbrojtëse, ajo e Vanës dhe e Shelegarit, janë përfunduar prej pesë muajsh dhe aktualisht ndodhen në fazë garancie.

Sipas specialistëve, lumi Kalasa ka një pellg ujëmbledhës prej rreth 22 mijë hektarësh dhe një prurje maksimale prej 274 m³/s, që shfaqet mesatarisht një herë në 20 vite.

Për shkak të distancës së shkurtër nga zonat malore deri në shtratin e lumit, prurjet rriten brenda 30 minutash gjatë reshjeve intensive, duke krijuar rrezik të lartë për gërryerje dhe përmbytje.

Punimet e kryera synojnë uljen e energjisë kinetike të ujit dhe forcimin e brigjeve, elementë thelbësorë për ruajtjen e argjinaturave që mbrojnë tokat bujqësore të zonës.

Ministri Salla deklaroi se “Këto investime janë jetike për mbrojtjen e 850 hektarëve tokë bujqësore. Detyra jonë si ministri dhe si qeveri është të garantojmë që çdo fushë të jetë plotësisht në funksion të fermerëve. Ne duhet të sigurojmë që toka të mbillet dhe të kultivohet pa rrezik, pa probleme dhe sidomos pa përmbytje. Vetëm kështu mbështesim prodhimin vendas dhe rrisim qëndrueshmërinë e komuniteteve rurale.”

Inxhinierët konfirmuan se projektet për dy kaskadat e mbetura janë gati dhe pritet të nisin së shpejti, duke kompletuar mbrojtjen e plotë të lumit Kalasa dhe duke garantuar siguri afatgjatë për zonën bujqësore të Finiqit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme