190 nxënës ekselentë nderohen me Medalje Ari, Kumbaro: Mos i harroni vështirësitë, ato ju bëjnë më të fortë

Arsim | 9 muaj më parë

Në një ceremoni të veçantë të organizuar në Kryeministri, 190 nxënës ekselentë nga i gjithë vendi, që kanë përfunduar me rezultate të shkëlqyera ciklin e arsimit të mesëm të lartë, u nderuan me medalje ari.

Medaljet u dorëzuan nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Në fjalën e saj, Kumbaro zgjodhi një mesazh frymëzues, duke theksuar se kjo ditë nuk ishte për leksione, por për besim.

“Sot, ju jeni më shumë se asnjëherë më parë: jeni 190 nxënës ekselentë nga i gjithë vendi, që keni shkëlqyer me rezultatet tuaja të gjimnazit e të Maturës Shtetërore. Jeni këtu sepse nuk jeni dorëzuar! Dhe për këtë arsye, sot nuk kam ndërmend t’ju mësoj asgjë. As nuk do të guxoja! Sepse më të mirëve nuk mund t’u japim leksione, por vetëm besim.”

Ministrja e cilësoi medaljen e artë si një simbol të karakterit dhe një provë se suksesi nuk vjen nga rastësia, por nga zgjedhjet e përditshme.

“Medalja e Artë që merrni sot është dëshmia më e mirë se suksesi nuk të vjen nga rastësia, por nga zgjedhjet e përditshme. Ju më mirë se kushdo e dini këtë, por nëse ma lejoni, unë do t’ju kërkoja që këtë t’ua tregoni sa më shumë prej bashkëmoshatarëve tuaj apo vëllezërve e motrave më të vegjël.”

Në vend të një fjalimi klasik, Kumbaro ndau me nxënësit disa fragmente nga letra e autores amerikane Maya Angelou, duke përcjellë mesazhe të forta motivuese:

“Ti mund të mos i kontrollosh të gjitha ngjarjet që të ndodhin, por mund të vendosësh të mos zvogëlohesh prej tyre. Përpiqu të jesh një ylber në renë e dikujt. Mos u anko. Bëj çdo përpjekje për të ndryshuar gjërat që nuk të pëlqejnë. Nëse nuk mund t’i ndryshosh, ndrysho mënyrën se si mendon për ato gjëra. Mund të gjesh një zgjidhje të re.”

Duke iu drejtuar nxënësve, Kumbaro nënvizoi se suksesi i tyre i vërtetë do të matet me ndikimin që do të kenë tek të tjerët.

“Jeni 190 më të shkëlqyerit, por unë do të thoja se suksesi juaj i vërtetë do të matet me ndikimin që do të keni tek të tjerët, se si do ta përdorni gjeniun brenda jush për të ndërtuar, për të përmirësuar jetën e të tjerëve, për t’i bërë gjërat edhe më mirë.”

Në fund, ministrja u bëri thirrje nxënësve të mos harrojnë vështirësitë e kaluara, sepse ato do t’i bëjnë më të fortë për sfidat e ardhshme.

“Mos i harroni kurrë vështirësitë që keni kaluar sepse pikërisht ato do t’ju bëjnë të fortë kur të vijë sfida tjetër. Faleminderit nga zemra për modelin që keni ndërtuar!”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme