Nisin verifikimet e dëmeve në Lushnjë – Grupet në terren, fermerët e prekur po ndihmohen me bazë ushqimore
Ujërat kanë filluar të tërhiqen nga sipërfaqet e tokave bujqësore, ndërsa lumi Seman është kthyer brenda shtratit të tij. Megjithatë, dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme, si në sera, pemëtari ashtu edhe në blegtori.
Ashim Isufit, blegtor nga fshati Pluk, përmbytja i ka dëmtuar të gjithë bazën ushqimore si dhe ka sjellë ngordhjen e disa krerëve bagëti. Sot ai ka pritur grupet e verifikimit të dëmeve dhe ka përfituar bazën ushqimore emergjente.
“Bagëtinë mi mori uji por edhe tokat u përmbytën”, tha Isufi.
Fermerit Bari Tusha tregon se lumi Seman i ka përmbytur për herë të dytë rreth 30 hektarë me lajthi dhe ullinj. Ai është në pritje te verifikimit të dëmeve të cilat llogariten në miliona lekë. Ai shpreson që pemëtoret të mos I thahen dhe, pas largimit të plotë të ujërave, së bashku me specialistët e bujqësisë, të rishikohet gjendja e kulturave.
“Erdhën panë por nuk futeshin dot sepse ishte më ujë dhe pasi të bie niveli i ujit do të vlerësohen dëmet”, tha nja Bari Tusha, fermer.
Çdo akt-konstatim i hartuar nga grupet e verifikimit firmoset nga fermeri ose blegtori i dëmtuar dhe më pas dosja dorëzohet pranë Drejtorisë së Bujqësisë në Lushnje.
“Kemi ditë që kemi dal në terren për të verifikuar dëmet dhe kemi konstatuar dëme të konsiderueshme prej përmbytjeve masive”, tha Orsel Sulovari, Kryetar i njësisë vendore, Golem.
Nga përllogaritjet paraprake rezulton se në qarkun Fier janë dëmtuar gjithsej 1 859 fermerë si pasojë e përmbytjeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





