Salla nga Pogradeci premton dëmshpërblim për çdo fermer të përmbytur, zbardhet skema e re prej 52 milionë eurosh për bujqësinë

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, ka zbritur në terren në një tur intensiv dëgjesash dhe inspektimesh, duke dhënë garanci të dyfishtë për fermerët: dëmshpërblim të plotë për zonat e prekura nga përmbytjet dhe një buxhet të rritur ndjeshëm për Skemën Kombëtare 2026.
Gjatë ndalesës në Pogradec, fokusi kryesor ishte situata e krijuar nga reshjet e fundit. Ministri Salla garantoi se qeveria ka gati paketën financiare për të mbështetur fermerët e dëmtuar, veçanërisht në zonën e Maliqit dhe fshatrat përreth.
“Ne jemi duke verifikuar në terren së bashku me ekipet e ministrisë dhe bashkitë për evidentimin e dëmeve. Do të ketë dëmshpërblime,” deklaroi Salla.
Ai theksoi se procesi i verifikimit po kryhet në bashkëpunim me emergjencat civile për të siguruar që asnjë familje fermere të mos mbetet pa mbështetje. Ministri paralajmëroi gjithashtu investime të reja në infrastrukturë (argjinatura dhe kanale) për të parandaluar përsëritjen e situatave të tilla.
Skema Kombëtare 2026, 52 milionë euro
Përveç menaxhimit të krizës, ministri nisi nga Librazhdi dhe Përrenjasi konsultimet publike për hartimin e buxhetit të ri. Lajmi i mirë për sektorin është rritja e ndjeshme e fondeve.
Sipas Sallës, Skema Kombëtare 2026 do të ketë një buxhet fillestar prej 5.2 miliardë lekësh (rreth 52 milionë euro). Ky fond është 16% më i lartë se ai i vitit 2025.
Sipas tij, synimi është përafrimi me standardet e Bashkimit Evropian, në linjë me vizionin #Bujqësia2030.
“Ne po i dëgjojmë fermerët – problemet dhe sugjerimet e tyre – për t’i përshtatur ato me legjislacionin e BE-së, ku ne synojmë të akreditohemi. Çdo lek publik duhet të përkthehet në më shumë prodhim dhe cilësi,” u shpreh ministri.
Turi i dëgjesave do të vijojë ditën e nesërme në Korçë, ku ministri ka ftuar fermerët të bëhen pjesë e diskutimit për të formësuar politikat e reja mbështetëse.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





