Skema Kombëtare 2026, ministri Salla nga Shkodra: Ndryshojmë qasjen, mbështetje me standarde evropiane për fermerët

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, vijoi sot turin e dëgjesave në qarkun e Shkodrës, duke u ndalur në kryeqendrën e veriut dhe në Malësi të Madhe. Fokusi i takimeve ishte konsultimi i drejtpërdrejtë me prodhuesit vendas për hartimin e Skemës Kombëtare 2026, një iniciativë që synon të korrigjojë mangësitë e së shkuarës.
Gjatë bashkëbisedimit, ku ishin të pranishëm edhe kryetarët e bashkive respektive, ministri Salla pranoi nevojën për të adresuar hapur atë që nuk ka funksionuar në skemat e mëparshme.
“Në dëgjesën e radhës me fermerët, po flasim hapur për atë që nuk ka funksionuar dhe po konceptojmë Skemën Kombëtare 2026 mbi siguri, gjithëpërfshirje dhe adresimin e mbështetjes së munguar,” u shpreh Salla.
Kreu i Bujqësisë nënvizoi se skema e re nuk do të jetë thjesht një shpërndarje fondesh, por një instrument për ta bërë sektorin konkurrues. Ai garantoi se kriteret do të jenë të bazuara në parime të barabarta për të gjithë, duke synuar përafrimin me modelin e Bashkimit Evropian.
“Do të jetë një skemë me rregulla të qarta e të barabarta, të përafruara me standardet e BE-së, që garanton pagesa të drejta, duke e bërë sektorin më të fortë dhe më të qëndrueshëm,” theksoi ministri.
Fermerët e zonës së Shkodrës dhe Malësisë së Madhe shfrytëzuan takimin për të paraqitur nevojat reale të terrenit, sugjerime të cilat Ministria është zotuar t’i reflektojë në draftin përfundimtar.
Turi i dëgjesave për Skemën Kombëtare 2026 pritet të vijojë edhe në qarqe të tjera të vendit, me synimin që politikat e reja mbështetëse të ndërtohen mbi kontributin e vetë fermerëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.







